Ngjarje

Vrasja e Egli Progës në Pogradec, del ekspertimi mjeko-ligjor: Nga goditjet pësoi hemorragji në tru

Nga Gazeta Si- Instituti i Mjekësisë Ligjore ka përfunduar ekspertimin mjeko-ligjor për 42 vjeçarin Egli Proga i cili u rrah për vdekje në 10 gusht në një lokal në Pogradec.

Në akt-ekspertim përshkruhen dëmtimet e konstatuara në trupin e viktimës, në ballë, në hundë, vesh, në faqe, në supin e majtë, të cilat janë shkaktuar me mjet të fortë mprehës siç mund të jetë edhe goditja me grusht.

Sipas aktit të ekspertimit, shkaku i vdekjes së 42 vjeçarit është:“hemorragji në cipen e trurit dhe hemorragji e indit trunor”.

“Në mostrën e gjakun të viktimës u zbulua prani e alkoolit etilik në vlerën mesatare 2.82 g/ L”, thuhet në akt-ekspertim .

Akt- ekspertimi mjeko-ligjor i është dërguar Prokurorisë së Korçës e cila po vijon hetimet për vrasjen e Egli Progës.

Policia arrestoi si autor të vrasjes Denis Meçe, me akuzën e vrasjes me dashje dhe procedoi për moskallëzim krimi Voltan Shkulaku, Leonidha Guçe, Arjan Manellari.

Por Prokuroria e Korçës, në seancën për caktimin e masës së sigurisë, lehtësoi akuzën për Denis Meçen nga vrasje me dashje, në vrasje nga pakujdesia, çfarë solli përplasje mes policisë dhe Prokurorisë së Korçës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë