Gjykata e Lezhës ka lënë në burg Nikollë Sherrnikun, një nga autorët e dyshuar të vrasjes së efektivit të policisë, Xhulio Prela.
Avokati i Sherrnikut deklaroi se vendimi i marrë nga gjykata është i pambështetur në prova.
“Gjykata ka marrë një vendim të gabuar. Ky vendim nuk është mbështetur në prova. I dyshuari është i pafajshëm”, ka thënë avokati.
Sipas avokatit të Sherrnikut, klienti i tij, ditën e vrasjes së Prelës ka qenë duke festuar ditëlindjen. Ai ka shtuar se emrat e tjerë të dyshuar për vrasjen e policit nuk kanë lidhje me klientin e tij.
Xhulio Prela sipas prokurorisë së Lezhës u vra pas një debati të çastit për dritat e gjata të makinës.
Përveç Sherrnikut, për ngjarjen e rëndë është shpallur në kërkim dhe një person tjetër, Brilant Martinaj i dyshuar si bashkëautor në vrasjen e 26-vjeçarit në aksin rrugor Lezhë-Milot në zonën e Gajushit.
B.Martinaj është kushëriri i Ervis Martinajt, një emër i njohur për policinë dhe drejtësinë, pasi ka qenë i përfshirë në vrasjen e 4 tetorit në zonën e ish-Bllokut.
Policia njoftoi se Prela dhe 2 personat, kanë filluar konfliktin për shkak të dritave të gjata të makinës.
Efektivi i FNSH-së, Xhulio Prela u ekzekutua në orët e para të mëngjesit të datës 5 dhjetor me një plumb në gjoks teksa po kthehej nga Shkodra për në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




