Gazeta Si – Prokuroria e Tiranës kërkon 30 vite burg për Andrew Boden dhe 25 vjet për Albano Velon, dy të akuzuarit për vrasjen e Edmond Papës, në 16 dhjetor 2022 në një lokal në zonën e Selitës në Tiranë.
Po ashtu, në kërkesën e prokurorisë, thuhet se të dy ata, nëse burgosen, duhet ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.
Në bazë të hetimeve të prokurorisë dyshohet se Papa u vra në shenjë hakmarrje për vrasjen e Aleksandër Sadikajt i njohur si ‘Sanço’, gjatë një atentati me minë të telekomanduar. Andrew Bode, i njohur edhe me emrin Ervin, dyshohet se pati rolin e ekzekutorit të Edmond Papës.
Ai u zbulua nga pamjet e kamerave të sigurisë në zonën e Selitës, aty ku u ekzekutua Papa. Ndërkohë Albano Velo akuzohet se ka pasur rolin e vëzhguesit.
Nga verifikimi i tabulateve telefonike të Albano Velos, është provuar se ditën e krimit, më 16 dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes, ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.
Po ashtu sipas prokurorisë ka dyshime së Edmond Papa ka qenë nën ndjekjen e personave që kanë dhënë urdhin për ekzekutimin e tij që në muajin Nëntor.
Albano Velo dhe Andrew Bode, janë lidhje shoqërore e Aleksadër Sadikajt që u ekzekutua me shpërthim me eksploziv në 11 qershor 2022.
Sipas dosjes hetimore, Sadikaj është takuar me Edmond Papën dy ditë përpara së t’i bëhej atentat në qytetin e Sarandës.
Edmond Papa rezultonte me precedent penal në Greqi për trafik droge, si dhe i skeduar në Britani të Madhe. Në Shqipëri ishte pronar i hotelit “Blue Sky” në Sarandë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.