Drejtësia

Vrasja e dyfishtë në Velipojë, burg për dy të arrestuarit. Vëllezërit Frroku ende në arrati

Gazeta Si - Gjykata e Shkodrës ka dhënë masën e sigurisë "arrest me burg" për dy të ndaluarit për ngjarjen e rëndë në Velipojë, që përfundoi me dy viktima.

Gjykata, pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve ka lënë në burg Zyber Zagradin, 26 vjeç dhe Marjo Palin, 29 vjeç. 

Shtetasit Zyber Zagradi dhe Mario Pali deklaruan në sallën e gjyqit se ata kanë ardhur në momentin pasi kishte nisur konflikti mes vëllezërve Frroku dhe dy viktimave, Ersild Ishmi dhe Arsid Hoxha.

Zagradi dhe Pali deklaruan se kanë parë shtetasin Edmir Frroku duke qëlluar, ndërsa u shprehën se nuk e kanë patur idenë se si ka nisur konflikti mes tyre sepse mbërritën më vonë aty.

Avokati mbrojtës Simon Pashku kërkoi masën e sigurisë “arrest shtëpie” dhe vleftësimin e paligjshëm të ndalimit të tyre ndërsa prokurori Albert Murçaj kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” të cilën gjyqtarja Arta Llazari e pranoi.

Kamarieri Zyber Zagradi deklaroi gjithashtu se nuk e ka idenë se si ka mbetur i plagosur. “Nuk e di si u plagosa, vetëm kur pashë këmbën me gjak dhe plagën e shkaktuar nga plumbi që kisha marrë”.

Ndërkohë, më herët kamarieri Zagradi deklaroi në polici se deri tek motra e vëllezërve Frroku në Lezhë e ka dërguar Mario Pali dhe më pas nga aty motra e vëllezërve Frroku e ka dërguar në spitalin e Lezhës.

Nga ana tjetër në deklarimin në polici, Pali e ka mohuar një gjë të tillë duke thënë se pas ngjarjes ai është larguar drejt Shkodrës.

Ngjarja e rëndë e cila përfundoi mbrëmjen e të hënës me vrasjen tragjike të dy të rinjve, e ka zanafillën në datën 28 qershor të këtij viti, kur njëri prej viktimave, Ersild Ishmi, kishte kanosur me armë zjarri kuzhinierin e hotelit në pronësi të vëllezërve Frroku.

Ishmi u ndalua në kKorrik për kanosje dhe më pas u la në masë sigurie më të butë nga gjykata, teksa konflikti siç duket nuk ishte shuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë