Gazeta Si – Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, Benet Beci ka dënuar ngjarjen e rëndë që tronditi mëngjesin e sotëm qytetin verior, ku pranë zyrës së tij, mbetën të vrarë 2 persona dhe u plagosën 2 të tjerë.
Në një postim në rrjetet sociale, Beci tha se kjo ngjarje duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit dhe shtoi se kishte biseduar me ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha pas asaj që ndodhi.
“Të dashur qytetarë, ky mëngjes për Shkodrën nuk ishte ai i zakonshmi, siç ndodh çdo ditë në qytetin tonë. Një ngjarje kriminale që duhet të marrë ndëshkimin e ashpër të ligjit ka tronditur zemrën e qytetit. Kam kontaktuar me Ministrin e Brendshëm dhe me të gjitha strukturat që luftojnë krimin, në emër të jetës dhe sigurisë së qytetarëve të Shkodrës, të cilët nuk meritojnë të përballen me skena të tilla.”, shkruan kryebashkiaku.
Ende nuk dihen shkaqet e kësaj ngjarje, por paraprakisht dyshohet se shënjestra kryesore e atentatit ka qenë njëri prej të plagosurve, i cili ndodhet aktualisht në spital, Erogen Brajoviç, vëllai i Denis Brajoviç, i cili vrau Gjin Boriçin për llogari të Ervis Martinajt disa vite më parë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




