Ka ndodhur

Vrasja e dyfishtë në ’97, burrë e grua arrestohen në Lezhë për dëshmi të rreme

Gazeta Si – Një çift bashkëshortësh është arrestuar gjatë një seance gjyqësore për dëshmi të rreme për një vrasje të ndodhur 28 vite më parë në vitin 1997, ngjarje e ndodhur në fshatin Rrasfik të Mirditës.

Sipas njoftimit zyrtar nga Policia e Lezhës thotë se ka arrestuar V.P., 53 vjeçe, dhe A.P., 57 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Dëshmia e rreme”.

Çifti akuzohet se, gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar dje, kanë dhënë deklarata që bien në kundërshtim me dëshmitë e tyre të mëparshme, duke krijuar dyshime serioze mbi vërtetësinë e rrëfimeve të tyre.

Çështja në fjalë lidhet me një vrasje të dyfishtë të ndodhur në vitin 1997, ku shtetasi Gj. L., vëllai i V. P., ka vrarë me armë zjarri motrën dhe bashkëshortin e saj, pas një konflikti për motive të dobëta.

Autori i krimit po vuan aktualisht dënimin me burgim të përjetshëm për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Pas arrestimit, materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Autoritetet pritet të hetojnë nëse dëshmia e rreme ka pasur ndikim në procesin gjyqësor dhe nëse ka pasur tentativa për të ndikuar në drejtësinë e çështjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë