Gjykata e Apelit në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Rrok Pepajn, babain e Danjel Pepajt, ky i fundit i akuzuar për vrasjen e Vilson Çutaj dhe Klement Pepaj në Vrith të Malësisë së Madhe.
Rrok Pepaj u arrestua si bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit, pasi u gjetën dy viktimat afër një parcele droge që dyshohet se është e djalit të Danjel Pepaj që ende nuk është arrestuar dhe vazhdon të jetë në kërkim nga policia.
Gjykata e Shkallës së Parë e la me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasin Rrok Pepaj, ndërsa të njëjtën masë sigurie dha edhe Gjykata e Apelit në Shkodër.
I vetmi ndryshim është se Apeli ka cilësuar si të paligjshëm arrestimin e Rrok Pepajt, ndërsa masën e sigurisë ndaj tij nuk e ka ndryshuar.
Gjatë seancës, avokati mbrojtës, Ardjan Brunga, kërkoi një masë më lehtësuese për klientin e tij Rrok Pepaj nga ana e gjykatës duke pretenduar se nuk ka pasur dijeni për parcelën e drogës dhe se nuk është bashkëpunëtor në kultivimin e kanabisit dhe kjo sipas palës mbrojtëse konfirmohet edhe nga procesverbalet e policisë në të cilat thuhet se përpara se të gjendej parcela dhe dy trupat e pajetë është kërkuar edhe në disa zona të tjera.
Danjel Pepaj i dyshuar për vrasjen e dyfishtë vijon të jetë në arrati, ndërsa nuk dihet vendndodhja e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




