Gjykata në Firence ka lënë në burg Elona Kaleshin, e dyshuara kryesore për vrasjen e çiftit Pasho në vitin 2015 në Itali.
Elona Kaleshi, ish e dashura e djalit të çiftit Pasho, u arrestua pak ditë më parë nën akuzën e vrasjes, fshehjes dhe masakrimit të trupave të dy bashkëshortëve, të cilët u gjetën të copëtuar në 4 valixhe, më 15 dhjetor.
Gjykata mori dëshminë e qytetarëve që banonin pranë apartamentit që kishte marrë me qira çifti Pasho, ku mendohet se ata janë masakruar, në fillim të nëntorit 2015.
Fqinjët thanë se në atë kohë kishin ndjerë një aromë të keqe që vinte nga shtëpia dhe se kishin parë një grua duke u larguar me disa valixhe, që dyshohet se ka qenë pikërisht Elona Kaleshi.
Sipas hetuesve italianë, Shpëtim Pasho është vrarë me thikë, në kohën kur po flinte gjumë, dhe në trupin e tij nuk ka shenja te tjera dhune. Ndërkohë Teuta Pasho, është rrahur për vdekje, dëshmi për këtë janë hematomat dhe kockat e thyera të gruas.
Për krimin e rëndë, dyshohet se Kaleshi është ndihmuar edhe nga persona të tjerë. Shkak për ngjarjen dyshohet se ka qenë një shumë prej 50 mijë eurosh që çifti Pasho mbante në shtëpi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.