Bota

Vrasja e Charlie Kirk, prokurorët kërkojnë dënim me vdekje për Tyler Robinson

Gazeta Si – Zyra e Prokurorit të Qarkut të Utah në SHBA, do të kërkojë dënimin me vdekje për Tyler Robinson, 22-vjeçarin e akuzuar për vrasjen e ndikuesit të ekstremit të djathtë, Charlie Kirk.

Njoftimi u bë nga prokurori Jeff Gray. Mes akuzave të shumta që do të ngrihen kundër Robinson, i cili do të mbetet në paraburgim pa lirim me kusht, është edhe vrasja e rëndë, e cila mbart dënimin me vdekje.

22-vjeçari u paraqit para një gjyqtari për një seancë dëgjimore në distancë, e para që nga arrestimi i tij. Ditën e të shtënave, Tyler Robinson i dërgoi një mesazh partneres së tij duke njoftuar vrasjen.

Tyler Robinson u paraqit në gjykatë për herë të parë në Provo, Utah, nëpërmjet lidhjes video nga burgu. 22-vjeçari dukej i qetë, konfirmoi identitetin e tij dhe dëgjoi pa u lëkundur akuzat dhe qëllimin e prokurorit për të kërkuar dënimin me vdekje.

Ai ende nuk ka avokat dhe gjykatësi i tha se mund të ketë një. Gjykatësi njoftoi se seanca e radhës do të jetë më 29 shtator.

Robinson pohoi me kokë kur gjykatësi e informoi se do të mbetej në burg pa lirim me kusht për gjithë kohëzgjatjen e çështjes.

“Vrasja e Charlie Kirk është një tragjedi për vendin: ai u vra ndërsa ushtronte një nga të drejtat tona më të shenjta, të drejtën e lirisë së shprehjes”, deklaroi prokurori.

Akuzat përfshijnë gjithashtu përdorim të paligjshëm të një arme zjarri, manipulim të dëshmitarëve dhe pengim të drejtësisë.

Plumbi që goditi Kirk në qafë, duke e vrarë atë, kaloi pranë njerëzve të tjerë, përfshirë fëmijët e pranishëm dhe personin që e kishte pyetur aktivistin Kirk për të shtënat para se të vritej.

Prokurori i Utah-ut, Jeff Gray, shpjegoi se kjo rrethanë është një faktor rëndues për të akuzuarin, sepse ai rrezikoi sigurinë e të tjerëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë