Ka ndodhur

Vrasja e biznesmenit Ruzhdi Hoxha, lihen në burg vëllezërit Rrushi

Vëllezërit Fredi dhe Pajtim Rrushi, janë lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, si autorë të dyshuar për vrasjen e biznesmenit të inerteve Ruzhdi Hoxha.

Gjatë seancës me dyer të mbyllura në gjykatë, ata nuk kanë folur apo dëshmuar, pa dhënë asnjë sqarim mbi ngjarjen e rëndë për të cilën akuzohen.

Vëllezërit dyshohen për vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha mes natës së 21 dhe 22 tetorit, trupi i të cilit u gjet në zonën e Dajtit në Qafë Mollë fundjavën e shkuar, rreth dy javë pas zhdukjes.

Ndaj Fredi Rrushit, i cili sipas prokurorisë është personi i fundit që ka takuar viktimën pas zhdukjes, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes, prokuroria ka ngritur akuzat për   “vrasje me paramendim”, “kultivim i bimëve narkotike” dhe “fshehja e kufomës”.

Ndërsa për vëllain e tij, janë ngritur akuzat e “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës” dhe “fshehje ose asgjësim i kufomës“. Prokuroria dyshon se Pajtim Rrushi është bashkëpunëtor në ngjarje.

Ai nuk ka treguar ende se ku u zhduk mjeti “Passat”, me të cilin udhëtoi  Hoxha, nga zona e Treshit deri më Qafë Mollë, ku edhe u ekzekutuar.

Automjeti që ka përdorur Fredi Rrushi në vrasjen e 43-vjeçarit nuk është gjendur ende, ndërkohë hetuesit nuk kanë gjetur ende as armën e krimit tip pistoletë, me te cilën u ekzekutua biznesmeni i inerteve.

Prokuroria e Tiranës nuk ka ende asnjë pistë për motivin e krimit të rëndë, ndonëse dyshohet se shkak mund të jetë bërë prishja e pazareve të drogës ose borxhet e vjetra.

Fredi Rrushi është i kërkuar nga Interpol Roma për trafik drogë në Itali, por që ekstradimi i tij është pezulluar, pasi fillimisht ai duhet të gjykohet nga drejtësia shqiptare për vrasjen e Ruzhdi Hoxhës.

Biznesmeni Ruzhdi Hoxha, pasi është rrëmbyer, është dhunuar fizikisht dhe më pas është ekzekutuar me dy plumba në Qafë Mollë në Dajt, ku trupi iu hodh në një humnerë, ku më pas u mbulua me gurë e gjethe për të fshehur gjurmët.

Krimi u zbulua nga një “gabim” i autorit të dyshuar, Fredi Rrushit, i cili, celularin e viktimës e hodhi në rrugë pas ngjarjes. Aparati u gjet i thyer nga një taksist pranë Shkollës së Bashkuar, i cili e dërgoi për riparim në një servis celularësh dhe më pas e shiti 10 mijë lekë të vjetra.

Përmes sitemit IMEI, policia ra në gjurmë të dyqanit dhe zbuloi përputhshmëri të orarit dhe kontakteve telefonike mes autorit të dyshuar dhe viktimës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë