Gazeta Si – Pas rreth dy vitesh proces gjyqësor në gjykatë, Prokuroria e Lezhës ka kërkuar burgim të përjetshëm për portugezin Ruben Saraiva, i akuzuar si ekzekutori i biznesmenit Ardian Nikulaj në prill 2023 në Shëngjin.
Seanca gjyqësore zgjati rreth një orë, gjatë së cilës organi i akuzës kërkoi dënimin ekstrem për 45-vjeçarin, i cili ka mohuar akuzat.
Sipas dosjes hetimore, Saraiva akuzohet për veprën penale “Vrasje e kryer për interes ose hakmarrje”, si dhe për “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sipas akuzës, krimi ishte i organizuar dhe i planifikuar, ndërsa roli i Saraivës konsiderohet kyç në ekzekutimin e tij.
Në seancat e mëparshme janë paraqitur prova, dëshmi dhe ekspertiza që, sipas Prokurorisë, faktojnë përfshirjen e të pandehurit në këtë ngjarje të rëndë.
Në pamjet e kamerave shihej një person me skafandër në kokë, maskë në fytyrë e jelek fosforeshent që e qëlloi me armë zjarri të paktën 6 herë Nikulajn.
Prokuroria e Lezhës, thotë se Saraiva erdhi në Shqipëri më 14 Shkurt 2023 për të finalizuar planin e thurur dhe financuar nga Edmond Haxhia, tashmë i arrestuar në Britani, të vrasjes së biznesmenit Nikulaj.
Të dhënat e mbledhura nga grupi i hetimit, treguan se gjatë përgatitjes për të kryer ngjarjen, portugezi u bë pjesë e komunitetit në Shkodër dhe Lezhë, duke mësuar shqip dhe bërë humor me qytetarët e zonës.
Ruben Saraiva u ekstradua nga Maroku në fund të vitit 2023, ndërsa kësaj procedure nuk i janë nështruar ende 4 shtetasit britanikë të arrestuar për këtë ngjarje, si dhe Edmond Haxhia, i cili akuzohet si porositësi i atentatit.
Vrasja e biznesmenit Nikulaj, ishte në vazhdën e sagës së hakmarrjes, që familja e viktimës ka pasur me fisin Lekstakaj prej dekadash, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje