Nga Gazeta Si- Gjykata e Korçës caktoi sot masën e sigurisë arrest me burg në mungesë për Kejsi Spahillarin si e dyshuar në vrasjen e të riut Antonio Karafili 7 vite më parë në Voskopojë, i gjetur i varur në pemë në afërsi të këtij fshati.
Sipas prokurorisë, nga provat biologjike rezulton se Rexhep Vathi dhe Kejsi Spahillari kane mbytur me çarçaf Antonio Karafilin dhe më pas e kanë varur në pemë, duke inskenuar vetëvrasjen e te riut. Motivi i krimit dyshohet të jetë lidhja paralele që Kejsi Spahillari kishte me viktimën dhe Rexhep Vathin. Pas krimit, Spahillari emigroi në Kanada, ndërsa në gusht të 2024, Rexhep Vathi vrau veten.
Ndërkohë lidhur me ngjarjen ka reaguar edhe e ëma e Kejsi Spahillarit, e cila ka thënë se vajza e saj nuk është vrasëse.
Ajo tha gjithashtu se vajza e saj dhe 18-vjeçari Antonio Karafili kishin pasur një grindje para se të ndodhet ngjarja. Pas grindjes, sipas saj, ata kishin shkuar në Voskopojë dhe 18-vjeçari nuk kishte pranuar të kthehej. Ajo shtoi se kur shkuan e ëma dhe vëllai i tij për ta marrë 18-vjeçarin në Voskopojë, ata e gjetën atë të vdekur.
“Asnjë gjë nuk është e vërtetë. Çdo gjë është një sajesë. Ka qenë komplet ndryshe historia që në fillim. Jam komplet e shokuar. Nuk e njoh fare personin në fjalë. Nuk ka mundësi që pa pasur diçka konkrete të shpiket kjo histori. Sepse Kejsi ishte ajo që kur e gjeti bashkë me të ëmën, e kanë mbajtur dhe e kanë prerë çarçafin. Edhe unë e kam prekur me dorë çarçafin kur e kanë sjellë djalin në shtëpi. Sepse ne e dinim si familje, nuk kishte arsye që të ndodhte kjo”, thotë mamaja e të dyshuarës, duke shtuar se Kejsi nuk ka lidhje me këtë ngjarje dhe cdo gjë është një sajesë.
“Është e tëra një sajesë, pas një muaji e gjysmë filluan dhe e stisën gjithë këtë gjë. Kërkoj vetëm drejtësi nga Policia, sepse është vërtetë mëkat të bësh vrasës dikë që nuk është”, tha e ëma e Kejsi Spahillarit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



