Gazeta Si - Edmond Papa, 49 vjeç, i cili humbi jetën në një atentat në zonën e Selitës në Tiranë ishte pronar i një hoteli në Sarandë.
Ai mbeti fillimisht i plagosur dhe u dërgua për mjekim në Spitalin e Traumës, ku rreth orës 17:25 të së premtes nuk i mbijetoi plagëve.
Policia tha se Papa, i dënuar më parë në Greqi për trafik droge u qëllua me 9 plumba në një lokal që ndodhet pranë shtëpisë së vëllait të tij nga një person deri tani i paidentifikuar. Një nga pistat e hetimit është pikërisht e kaluara e tij e errët.
Dinamika e ngjarjes
Atentatori që i mori jetën Edmond Papës, e priste shënjestrën për ta ekzekutuar. Nga burime paraprake, mësohet se viktima kishte mbërritur të premten në Tiranë së bashku me të ëmën e tij, të cilën e kishte sjellë në kryeqytet për vizitë mjekësore.
Papaj kishte shkuar tek banesa e vëllait të tij në zonën e Selitës. Ai kishte zbritur tek lokali poshtë pallatit për të konsumuar një kafe.
Por vrasësi, i cili e priste aty pranë, siç sqarojnë burimet e policisë, shikonte të gjitha lëvizjet e Edmond Papës.
Sapo 49-vjeçari hyri brenda lokalit, edhe vrasësi shkoi brenda ambienteve të këtij biznesi. Ai iu afrua deri pranë tavolinës dhe e qëlloi mbi disa herë me pistoletë.
Më pas u largua në këmbë nëpër rrugica. Nga kqyrja e kamerave të sigurisë, burime nga grupi i hetimit thonë se vrasësi kishte ardhur në këmbë dhe u largua po në këmbë. Ai mbante në kokë një kapuç, çka për momentin është i paidentifikueshëm.
Pistat e hetimit
Kjo shton dyshimet se atentatori është ndihmuar edhe nga persona të tjerë për t’u larguar nga vendngjarja.
Papa jetonte prej disa kohësh në Britani të Madhe. Ai ka qenë i dënuar me 7 vite burg në Greqi për trafikim të lëndëve narkotike dhe ishte pronar i një hoteli në Sarandë.
Policia dyshon se shkak i vrasjes mund të jenë konfliktet për aktivitete të paligjshme.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.