Gazeta Si – Një ditë pas vrasjes së 43-vjeçarit Vladimir Topjana në Pordenone, policia italiane ka zbuluar detaje pas marrjes në pyetje të babë e bir, Pren dhe Rogert Shota, 67 dhe 34 vjeç, të dyshuar si autorë të krimit.
Mediat italiane shkruajnë se arsyeja që ka nisur debatin mes palëve dhe më pas degjeneroi në shkrepjen e armës, ka qenë një çështje e lidhur me pronësinë e një cope toke në Shqipëri.
Siç shkruajnë të njëjtat burime, si pasojë e debatit të fortë, Topjana i ka kafshuar veshin babait të Rogertit, Prenit. Ky veprim ka sjellë më pas përdorimin e armës nga djali. Topjana ka marrë dy plumba në bark dhe një tjetër në kokë, që ka qenë edhe fatal për të.
Të gjithë shqiptarët e përfshirë në këtë ngjarje nuk kanë pasur precedentë penalë në Itali. Pas ngjarjes, Rogert Shota ka dërguar të atin, Prenin, në shtëpi, ndërsa vetë shkoi drejt Venetos. Por të dy u arrestuan nga policia pas disa orësh.
Viktima ndodhej në një lokal, ku kishte parë ndeshjen Roma-Juventus së bashku me djalin e tij 17-vjeçar. Pas ndeshjes, teksa fliste me një të afërm në parkingun e makinave, një makinë e bardhë mbërriti në vendngjarje dhe personat që ndodheshin brenda nisën të debatonin me 43-vjeçarin.
Nga makina doli 34-vjeçari Rogert Shota, i cili nxori armën me të cilën e qëlloi Topjanën, duke e lënë të vdekur.
Autori i ngjarjes u largua me një makinë nga vendi i ngjarjes me qëllim për t’u arratisur, por mësohet se ka qenë punëdhënëi italian që e ka bindur të dorëzohet. Policia me arrestimin e Shotës ka sekuestruar edhe pistoletën “Beretta” me të cilën kreu krimin.
Viktima kishte disa ditë që sapo ishte kthyer nga vendlindja, Fushë Arrëzi nga ku kishte emigruar për të punuar në Itali.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.