Nga Gazeta Si – Të tjera detaje janë zbardhur nga vrasja e ndodhur një ditë më parë në Tiranë, ku një palestinez vrau bashkëshorten e tij brenda një apartamenti të marrë me qira.
Çifti Ryyan Alwan 24 vjeçe dhe bashkëshorti i saj, Fadi Alwan 49 vjeç ishin me origjinë palestineze por jetonin në Gjermani.

Ata kishin fluturuar nga Gjermania për në Rinas më datë 19 shkurt. Mësohet se çifti janë prezantuar me dokumente greke.
Nga Rinasi ata kanë shkuar me taksi te zona e rrugës së Kavajës, ku dhe kanë marrë apartamentin me qira.
Në pamjet filmike të datës 22 shkurt, 49-vjeçari shfaqet duke u larguar në mbrëmje nga aeroporti i Rinasit në drejtim të Greqisë.
Grupi hetimor ka dyshime të forta që edhe krimi ka ndodhur më datë 22 shkurt, 6 ditë më parë. 49-vjeçari palestinez fillimisht e ka vrarë me thikë, e ka mbuluar me një çarçaf dhe më pas ka marrë të gjithë mjetet e identifikimit, telefonin dhe çdo send personal të 24-vjeçares.
Policia e Tiranës arriti në gjurmët e tij përmes telefonatës që ai bëri për rezervimin e shtëpisë. Pronarja, në mungesë të identitetit të palestinezëve, u vuri në dispozicion numrin e celularit gjerman me të cilin u bë rezervimi. Nga ana tjetër u përgjigj një person tjetër i cili i tha policisë se ky numër në Gjermani përdorej nga Fadi Alwan. Me këtë emër, policia nisi kërkimet ku zbuloi se çifti Alwan zbritën në Tiranë nga Rinasi dhe pasi morën pamje të kamerave të sigurisë, pronarja e shtëpisë me qira i identifikoi se ishin të njëjtët.
Po ditën që dyshohet se është kryer krimi, autori udhëtoi drejt Athinës dhe më pas drejt Amsterdamit. Hetuesit dyshojnë se nga Holanda, Alwan udhëtoi me tren për në Gjermani, por akoma nuk është gjurmuar.
Pavarësisht se janë prezantuar si partnerë në pronaren e banesës me qira, në mungesë të informacioneve për ta, ende nuk është e konfirmuar saktësisht nga hetuesit lidhja mes tyre, pasi po hidhet edhe pista që mund të jenë babë e bijë, edhe për shkak të diferencës 25-vjeçare në moshë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




