Drejtësia

Vrasja e 23-vjeçarit në Shkopet, Apeli lë në burg dy nga autorët e dyshuar

Gazeta Si – Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masat e sigurimit “arrest në burg” për Fatjon Bushgjokën dhe Petrit Çakrrin, të dyshuar për vrasjen e 23-vjeçarit Renis Dobra mbrëmjen e 8 korrikut, trupi i të cilit u gjet një ditë më vonë pranë liqenit të Shkopetit.

Gjatë seancës, avokatët e të dyshuarve, zhvilluan debate të ashpra me prokurorin Etien Kapo, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të të dyshuarve dhe cilësimin e arrestimit si të paligjshëm. Gjykata vendosi të lërë në burg të dyshuarit dhe caktoi afat për mbledhjen e provave shtesë.

Sipas hetimeve, të dyshuarit, së bashku me Kristi dhe Aleksandër Bushgjokaj, e ndoqën të riun nga qyteti i Burrelit, e dhunuan, e mbytën me litar dhe tentuan ta fshehin duke hedhur trupin dhe automjetin e tij në liqen. Ngjarja e rëndë u raportua mëngjesin e 9 korrikut nga ana e policisë.

Pavarësisht pretendimeve të dy të arrestuarve, policia dhe prokuroria e Dibrës janë thuajse të bindura se Petrit Çakraj, Fatjon Bushgjoka dhe dy vëllezërit e tyre, Kristi dhe Aleksandër, të shpallur në kërkim, janë autorët e ngjarjes.

Dyshimi i hetuesve mbështetet në pamjet filmike që tregojnë katër autorët në qytetin e Burrelit, si dhe në verifikimet e automjeteve të përdorura gjatë krimit.

Renis Dobra ishte kthyer së fundi nga Gjermania, ku ishte deportuar pas arrestimit si pjesë e një grupi kriminal që shpërndante drogë. Pikërisht nga ky aktivitet policia dyshon se viktima kishte pasur konflikte me katër autorët.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë