Gazeta Si – Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka rrëzuar kërkesën e SPAK për të pushuar hetimet ndaj Lulzim Berishës, i akuzuar për vrasjen e Vajdin Lames në vitin 2005.
GJKKO vendosi kthimin e dosjes për plotësim hetimesh dhe i la kohë SPAK-ut 4 muaj afat. Lulzim Berisha u arrestua në Spanjë në mesin e dhjetorit 2023 për llogari të autoriteteve shqiptare.
Pak kohë më parë, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar pushimin e hetimeve për Berishën dhe kunatin e tij Plarent Dervishaj (të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga policia), të akuzuar si të përfshirë në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj dhe mikut të tij Artan Arsi.
Pas tre vitesh hetime, SPAK nuk ka mundur të provojë implikimin e dy figurave kryesore të krimit në vrasjen e dyfishtë me tritol të ndodhur në muajin shkurt 2005 në Tiranë.
Nisur nga kjo situatë, SPAK, vendosi të kërkojë në gjykatë pushimin e ndjekjes penale për dy ish-anëtarët e bandës së ashtuquajtur të Durrësit.
I konsideruar si ish-kreu i bandës së Durrësit, Lulzim Berisha ka një kalvar të gjatë procesesh gjyqësore me drejtësinë shqiptare. Konkretisht në 2012 ai u dënua me burg përjetë nga Gjykata e Durrësit për disa krime të rënda, dënim ky që u rrëzua në Korrik të 2014 nga Gjykata e Lartë.
Kjo e fundit e dënoi atë përfundimisht me 25 vjet burg, por vetëm dy vite pas këtij dënimi ai u lirua nga burgu, konkretisht në dhjetor të 2016. Katër vite pasi fitoi lirinë, ndaj Lulzim Berishës nis një tjetër proces penal, ku u shpall sërish në kërkim nga drejtësia.
Për të SPAK ngre akuzën e pjesmarrjes në vrasjen e Klodian Saliut, Vajdin Lames dhe mikut të tij Artan Arsi, ngjarje këto të ndodhura në vitin 2005.
Sikur të mos mjaftonin këto, në vitin 2021, Gjykata e Lartë rrëzoi vendimin për lirimin e Lulzim Berishës në 2016 dhe kërkoi rikthimin e tij në burg. Pas arrestimit në Spanjë, Shqipëria ka nisur procedurat për ekstradimin e tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.