Politike

Vrasja e 14-vjeçarit, Rama: Diskutime me prindërit për mbylljen e TikTok dhe Snapchat në Shqipëri. Kamera në shkolla dhe klasa

Kryeministri Edi Rama, ka njoftuar se qeveria po shqyrton mundësinë e bllokimit të rrjetit TikTok në Shqipëri, pas tragjedisë së ndodhur në shkollën "Fan Noli".

Në daljen për mediat, Rama tha se kjo do të diskutohet me komunitetet e prindërve nëpër shkolla dhe jo vetëm për TikTok, por edhe për Snapchat.

Kryeministri shtoi se parashikohet edhe ngritja e një sistemi digjital monitorimi nëpër klasa dhe shkolla, me anë të kamerave.

"Dilema jonë si qeveri është nëse duhet të provojmë edhe ne të ecim në drejtim të vendosjes së filtrave, kur në fakt efektiviteti i tyre është i ulët ndërsa stimujt e dhunës dhe bullizmit vetëm rriten, apo të ndërmarrim një masë drastike, për mbylljen e plotë të TikTok dhe Snapchat. Do e hedhim për diskutim të gjerë me prindërit. Jemi duke punuar intensivisht për një sistem të ri digjital të kontrollit të shkollave, në kuadër të sistemit të monitorimit me kamera digjitale. Kemi dakordësuar dhe financimin dhe shumë shpejt do të publikojmë projektin”, tregoi kreu i qeverisë.

Rama e quajti një krim makabër vrasjen e 14-vjeçarit nga bashkëmoshatari i tij dhe theksoi nevojën për një përgjigje.

"Prej tre ditësh i madh e i vogël është tronditur nga vrasja makabër e një nxënësi 14 vjecar e gjithë dinamika nxjerr në pah kërcënimin permanent ku TikTok apo Snapchat thithin përditë fëmijët që në moshat më të vogla. Autoriteti i prindërve apo mësuesve sfidohen orë e çast nga bota paralalele e këtyre rrjeteve ku nuk ka asnjë filtër, e deri shëndeti mendor vihen në pikëpyetje. Janë të vërteta që nuk është e vështirë të biem dakord.

Rama solli si shembull dhe eksperiencën në shtete të tjera si Australi, Francë apo Spanjë

"Këto janë të vërteta të thjeshta më të cilat nuk është e vështirë të biem dakord si prindër apo qytetarë dëshmitarë të shoqërisë së kohës të botës së sotme, ku garantimi i sigurisë së fëmijëve është përparësia e përparësive tona. "Shumë shtete po përpiqen filtra mbrojtës, por end epa rezultat. Çdo prind është dëshmitar i faktit se presioni i tërheqjes së fëmijëve nga telefonët bëhet gjithnjë e më i përballueshëm edhe brenda mureve të shtëpisë.  Duke ndjekur hap pas hapi se çfarë bëjnë vendet e tjera, për ta ulur këtë presion. Janë ndërmarrë iniciativa të ngjashme që nga Australia ku po tenohet ndalimi i aksesit në rrjetet sociale të fëmijëve në moshën 16 vjeç. Deri të Franca, apo Spanja ku fillimisht u vendos që fëmijët deri 14 vjeç të mos hapin llogari online dhe së fundmi ky kufi është rritur në 16 vjeç", u shpreh kryeministri.

Rama përmendi gjuhën e rëndë të politikës në vend si një përhapës të dhunës, përfshirë Kuvendin dhe median, duke thënë se "pseudoelita" përdor çdo hall të shqiptarëve, për interesa pushteti dhe biznesi.

Kreu socialist bëri thirrje për bashkëpunim të qytetarëve dhe prindërve në mbrojtje të fëmijëve.

"Në mbyllje, dua të nënvizoj se tragjedia e nxënësit 14 vjeçar, e familjes së tij dhe e komunitetit të shkollës Fan Noli është shumë e madhe për tu futur në perimetrin shumë të ngushtë të sherrit të një pseudo elite politike dhe mediatike e cila përditë, përnatë devijon çdo interes kombëtar e publik, çdo problem apo ngjarje dhe deri çdo fatkeqësi e tragjedi në kanalin e llumit të interesave të veta për pushtet e për biznes me ndjenjat dhe me hallet e popullit. Kjo tragjedi duhet të na bashkojë si prindër dhe si qytetarë për të kuptuar se gjithsecili prej nesh duhet të marrë përsipër më shumë në pjesën e vetë të frontit për mbrojtjen e fëmijëve, i cili nis brenda mureve të shtëpisë, vazhdon brenda mureve të shkollës dhe shtrihet kudo ku zhvillohet jeta e fëmijëve tan, përfshirë dhe ekranet e televizorëve ku shumica dërrmuese e atyre që derdhin lot krokodili për Shqipërinë dhe për popullin janë në fakt lëvrues të papërgjegjshëm të gjuhës së dhunës dhe herë pas here dhe nxitës të hapur të dhunës  duke përfshirë dhe vet sallën e Parlamentit të Shqipërisë që është një shkollë e hapur dhune dhe nxitjeje e gjuhës së dhunës", përfundoi kryeministri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë