Gazeta Si - Prokuroria e Tiranës ka ashpërsuar akuzën për autorin e dyshuar të vrasjes së 14-vjeçarit në shkollën “Fan Noli”.
Policia e kishte referuar për akuzën e vrasjes me dashje, por prokuroria e akuzon për vrasje në rrethana cilësuese. Ndaj të miturit, rëndon edhe akuza e mbajtjes pa leje të armëve të ftohta.
Ai u arrestua një ditë pas ngjarjes në spitalin privat, ku po kurohet për plagën që mori gjatë konfliktit. Ndaj tij rëndon edhe vepra penale “Prodhimi, mbajtje pa leje e armëve të ftohta”.
LEXO EDHE:
- 'U zumë, sepse po më shikonte', dëshmia në polici e 14-vjeçarit që vrau bashkëmoshatarin
- Të gjitha 'arsyet' psikologjike të një 14-vjeçari që vret
Pak minuta pas krimit, në rrjetet sociale autori ka treguar me krenari thikën me të cilin vrau bashkëmoshatarin.
Në video shfaqet dhe dora e tij e fashuar. Këto postime kanë sjellë reagimin e ashpër të opinionit publik dhe shoqërisë.
Nxënësi 14-vjeçar Martin Cani u godit me thikë pranë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” pas një sherri që kishin pasur ditën e premte, i nisur që në ambientet e shkollës.
Sherri ndodhi gjatë pushimit të gjatë mes orëve të mësimit. Roja e shkollës ka arritur t’i ndajë.
Gjithashtu, në këtë sherr mbeti i plagosur me thikë dhe shoku i viktimës, i cili ishte lajmëruar më herët për sherrin. Ai erdhi nga një shkollë tjetër që ndodhet në Sauk.
Mjekët thonë se ai ka një plagë në kraharor dhe ndodhet në gjendje të stabilizuar në Spitalin e Traumës. I plagosur lehtë në dorë mbeti edhe vetë agresori, i cili po trajtohet në një spital privat në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.