Ngjarje

Vrasja e 14-vjeçarit në Maliq u filmua nga kamerat, i mituri tentoi të mbrohej me karrige

Gazeta Si – Hetimet për vrasjen e 14-vjeçarit në fshatin Pirg të Maliqit kanë zbuluar detaje të reja mbi dinamikën e ngjarjes.

Nga dosja hetimore, mësohet se pak ditë para se të ndodhte krimi, autori E.G., ka shkuar me një mjet në fshatin Zvirinë dhe para lokalit të xhaxhait të viktimës ka xhiruar gomat dhe është larguar.

Ditën e ngjarjes, viktima Erald Xhejo së bashku me një shok kanë shkuar në fshatin Pirg për t’u qethur në berberhanë në afërsi të lokalit ku ndodhi vrasja.

Ata kanë parë E.G., duke kaluar me makinë dhe i kanë thirrur me qëllim për t’u sqaruar. Ai ka ndaluar ka dalë nga makina dhe kanë nisur në debatojnë ndërkohë që ka nxjerrë thikën.

Viktima në këto kushte ka marrë një karrige nga oborri i lokalit për t’u vetëmbrojtur duke e vendosur përpara trupit, por teksa bënte hapa pas është penguar dhe autori në atë moment e ka goditur me thikë.

E gjithë ngjarja është filmuar nga kamerat e sigurisë së lokalit. Sipas policisë, 8 persona janë përfshirë në vrasjen e 14-vjeçarit Xhejo. Policia ka arrestuar autorin 14-vjeçar, E.G.,, babain e xhaxhain e tij, 4 të mitur të tjerë si dhe një 34-vjeçar.

Policia dyshon se babai e xhaxhai i autorit kanë fshehur thikën me të cilën u krye krimi i rëndë. 4 të miturit e arrestuar kanë qenë të pranishëm në vendngjarje, por kanë tentuar të fshehin ngjarjen në deklarimet e dhëna. Ndërsa 34-vjeçari, tentoi ta largonte nga vendngjarja autorin pasi kishte kryer vrasjen e bashkëmoshatarit.

Vrasja ndodhi dy ditë më parë brenda një lokali, ku dy të miturit kishin shkuar të “sqaroheshin” pas sherreve të vazhdueshme në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë