Drejtësia

Vrasja dhe zhdukja e Jan Prengës, kopshtari kërkon pamjet filmike: Nuk kam përdorur ‘EnchroChat’

Gazeta Si – Në Apelin e Posaçëm u zhvillua seanca ndaj Festim Bexhdilit, kopshtarit të kompleksit “Golden” në Shijak, i dyshuar si një nga personat që ka dijeni për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës në janar të 2020 në Kamëz.

Bexhdili fillimisht u dënua me burg përjetë, por vendimi u rrëzua nga Gjykata e Lartë dhe çështja u kthye për rigjykim në Apel.

Në seancën e kësaj të mërkure, avokati Ilir Murati ka kërkuar pyetjen e bashkë të pandehurve Aldo Majnishta dhe Dritan Rexhepi dhe Apeli i GJKKO ka pranuar.

Ndërsa SPAK pretendon se Bexhdili ka patur një telefon “encro chat”, por nuk është zbërthyer. Sipas avokatit, i dyshuari Bexhdili pretendon se nuk ka përdorur një aplikacion të tillë.

Avokati thotë se janë zbërthyer komunikimet në “SKY ecc” dhe Altin Hajri nuk ka komunikime me Festim Bexhdilin, ndërsa sipas prokurorisë, komunikimet e Hajrit janë me të pandehurin Dritan Funiqi, i cili udhëzon që Festim Bexhdili të mbyllë gojën.

Avokati kërkon thirrjen e një eksperti që të interpretojë pamjet filmike. Nga ana tjetër, SPAK thotë se Bexhdilit iu sekusestrua telefoni i enkriptuar në momentin e arrestimit dhe prandaj mungojnë komunikimet me personat e tjerë të përfshirë.

Gjithashtu, prokuroria i kërkon gjykatës që të mos pranohet kërkesa për thirrjen e një eksperti për analizimin e kamerave të sigurisë.

Apeli i GJKKO, urdhëroi shoqërimin e Aldo Majnishtës dhe Dritan Rexhepit të cilët do të pyeten në procesin ndaj Bexhdilit, në seancën e radhës më datë 12 qershor.

SPAK dyshon se Bexhdili është pjesë e grupit kriminal dhe nuk është gjendur rastësisht në vendin apo kohën e gabuar kur ka ndodhur vrasja dhe zhdukja e trupit të Jan Prengës.

Në këtë proces gjyqësor po gjykohen edhe Dritan Rexhepi, Aldo Majnishta, Gentian Funiqi, Martin Bleta, Korado Gështenja, Artan Doçaj dhe Geraldo Martini.

Në seancën e 16 prillit përballë gjykatës, Festim Bexhdili ka deklaruar se ka qenë duke pastruar pishinën kur në resortin ku punonte ka ardhur një Range Rover i bardhë me katër vetë të armatosur.

“Isha duke pastruar pishinën, kur erdhi një “Range Rover” i bardhë dhe u fut tek garazhi. Shkova t’i pyesja. Ishin 4 vetë të armatosur. Nuk i njihja. Më kërkuan ujë dhe jua dërgova. Isha i frikësuar. Më thanë “ka vdekur njëri”. Më thanë ta kalojmë nga makina në makinë. Isha shumë i trembur nga armët e tyre edhe se pashë një të vdekur. E kaluam nga “Range”-i në një “Fiat Doblo”, që e përdornim për furnizimet në kompleks. E zhvendosëm trupin. Fytyrat i kishin zbuluar, por nuk i kujtoj. Njëri kishte tatuazhe. Pastaj më kërkuan edhe një kazmë e një lopatë. Nga gjuha m’u dukën si nga veriu”, është shprehur ai.

Hetimet treguan se shkak për mbajtjen peng të Jan Prengës, u bë grabitja e një sasie kokaine në portin Portsmuth në Angli, grabitje për të cilën Dritan Rexhepi dhe Gentian Funiqi, të konsideruar si porositës të krimit nga SPAK, fajësonin vëllain e Jan Prengës, Astrit Prengën.

Edhe pse në mungesë të një kufome, gjykatat argumentuan se për shkak të gjakut të gjetur dhe pamjeve filmike, Jan Prenga ka humbur jetën.

Sipas gjykatës, Bexhdili ka pastruar vendin e krimit, ka siguruar mjetet dhe ka kërkuar për vendin ku do groposej trupi, si dhe ka gjetur rroba të pastra për autorët që bënë rrëmbimin më Kamzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë