Drejtësia

Vrasja me snajper për tokën, sms-ja e fundit e biznesmenit për vëllezërit Dukaj! Ish-polici bëri prova në poligon

Gazeta Si – Mesazhi i fundit në telefon i Eduart Reçit, dërguar dy vëllezërve Shkëlqim dhe Florjan Dukaj, për të zgjidhur konfliktet që kishin për një sipërfaqe toke, ka përshpejtuar hetimet për zbulimin e vrasjes së biznesmenit në 24 nëntor 2024.

Prokuroria e Tiranës, dyshon se Reçi u ekzekutua me një plumb në kokë me snajper dhe ka dërguar për gjykim dosjen ndaj dy vëllezërve, njëri prej tyre ish-polic, me akuzat: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtja pa leje dhe prodhim i armëve” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Sipas dosjes hetimore, biznesmeni i dërgoi një mesazh vëllezërve Dukaj në datën 4 nëntor, 10 ditë para se ata ta ekzekutonin.

Viktima, Eduart Reçi

“Mirëdita! Si jeni miku im? Sipas dakordësisë të lënë me propozimin tuaj për t’u takuar në datën 3 nëntor, po ju pres për t’ju takuar. Mua më ke gati. E mira është që në takimin e radhës të jeni të dy vëllezërit”, – thuhet në mesazhin e të ndjerit.

Dhjetë ditë pas këtij komunikimi mes të dyja palëve, ku Shkëlqim Duka i shkruan, “takohemi ditën e shtunë ora 11, se jam në punë deri vonë”, biznesmeni Reçi vritet.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, ai u vra për interes pasuror, pas mosëmarrëveshjeve të një sipërfaqe toke me vëllezërit Dukaj.

Biznesmeni, thekson prokuroria, prej vitesh kishte ndërtuar në Tiranë dy pallate dhe se disa njësi i kishte dhënë me qira.

Por nga hetimet, rezulton se mes personave që viktima kishte pasur konflikte për pronësinë, ishin edhe dy vëllezërit, njëri prej tyre oficer policie.

Përplasjet kishin nisur pasi vëllezërit ishin pronarë të një lokali që ishte në kufi me pronën po lokal të viktimës dhe që sipas këqyrjeve kishin pushtuar edhe një pjesë nga toka e biznesmenit.

Prokuroria thotë se Reçi kishte kërkuar që ata ta lironin pronën në mënyrë vullnetare. Në këtë klimë krijohet bindja, deklaron grupi i hetimit, se Shkëlqim Duka në bashkëpunim me të vëllanë është në rolin e ekzekutorit.

Me saktësi ekzekutori dyshohet se kreu qitje të vazhdueshme në një poligon dhe si provë, prokuroria përmend jo vetëm disa video duke u praktikuar, por edhe biseda në Facebook për dylbi, duke u shprehur: “Jam i interesuar për produkt me gamë zmadhimi 39 herë 40”.

Organi i akuzës nënvizon se vëllezërit e zgjodhën vendin prej nga ku qëlluan, përdorën si karrem hedhjen e fishekzjarrëve nga njëri prej tyre në oborrin e lokalit në mënyrë që shënjestra të dilte jashtë dhe tjetri ta qëllonte.

Me qëllim që të mos identifikoheshin nga kamerat e sigurisë, vrasjen e realizuan në orët e vona të mbrëmjes së 24 nëntorit 2024.

Nga vëzhgimet e Reçit, para se ta vrisnin, ata kishin kuptuar se ndërtuesi çdo mbrëmje dilte të pastronte oborrin dhe kështu kishin zgjedhur që ta qëllonin nga pallati përballë.

Sipas grupit hetimor, Shkëlqim Dukaj, oficer policie, ishte pozicionuar në këtë pallat në një distancë rreth 30 metrash larg nga viktima. Duke qenë se aftësitë e tij në qitje ishin të larta, ai e ekzekutoi viktimën vetëm me një plumb në kokë.

Një ditë para arrestimit, policia ka ushtruar disa kontrolle në banesat, por edhe në lokalin në pronësi të dy vëllezërve, ku ka gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri, e cila rezulton pjesërisht e dëmtuar, jelek antiplumb dhe disa materiale të tjera.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë