Gazeta Si – Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjyq një person, i cili pas hetimeve del se në zgjedhjet e pjesshme vendore për Bashkinë e Lushnjës, të mbajtura në muajin mars të vitit 2022, ka votuar dy herë.
Herën e parë ka votuar si komisioner i KQV në Dushk dhe herën e dytë si banor i këtij fshati, në shkelje të ligjit të Kodit Zgjedhor
Në një njoftim të organit të akuzës, i pandehuri me inicialet H.Gj., akuzohet për veprën penale “votimi më shumë se një herë ose pa u identifikuar”.
“Në kuadër të procedimit penal nr.108 të vitit 2023, në përfundim të hetimeve për këtë procedim penal, prokuroria ka marrë të pandehur shtetasin H.Gj., dhe ka kërkuar dërgimin e çështjes në gjyq, pasi u provua se, në zgjedhjet e pjesshme vendore në Bashkinë Lushnjë të zhvilluara në datën 06.03.2022, i pandehuri H.Gj. ka votuar dy herë në qendrën e votimit ZAZ 54 Dushk, Bashkia Lushnjë. Nga procesi i kryqëzimit të të dhënave të pajisjes elektronike të identifikimit të zgjedhësve (PEI), të vendosur në çdo Qendër Votimi të Republikës së Shqipërisë, ka rezultuar se, i pandehuri ka votuar herën e parë si komisioner i KQV në QV 2818, ZAZ 54, Dushk, bazuar në nenin 58 të Kodit Zgjedhor, dhe herën e dytë në QV 2817, ZAZ 54, Dushk, si banor”, njofton Prokuroria e Fierit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.