Kosova

Votohet në parim Byroja për Konfiskimin e Pasurisë

Është votuar në lexim të parë, projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

Ky projektligj ka kaluar vetëm me votat e pozitës, 58 vota për dhe 3 abstenime, dhe pa mbështetjen e opozitës.

Ndër deputetët që ka abstenuar është edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Me këtë projektligj parashikohet që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë mund të jenë subjekt i verifikimit të pasurisë nëse ekzistojnë dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme. Përveç tyre, verifikimi dhe konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme do bëhet edhe për anëtarët e familjes së tyre dhe palëve të treta, që nënkupton personat te të cilët dyshohet se është bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Kryeministri Albin Kurti, tha se është e rëndësishme që të takohen si subjekte politike.

“Është e domosdoshme që të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta”, duke shtuar se byroja dhe vettingu nuk janë e njëjta gjë.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se ky projektligj pas votimit në parim, në lexim të dytë do të adresohen rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij nuk e mbështet Qeverinë, nëse nuk ka gjithpërfshirje.

“Ju keni kërkuar gjithëpërfshirjen edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje… Ju kryetar i Kuvendit keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias dhe këtë ndërmarrjen tuaj e kemi vlerësuar këtu në Kuved”, ka thënë ai, duke shtuar se “jam vullnetar në verifikim e pasurisë, vërejtjet janë për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të bërë reformën njëmend”.

Shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm konsensusi politik.

“Konsensusin në reformën në drejtësi e shoh jashtëzakonisht të rëndësishëm… mendoj që këtu edhe Qeveria duhet të reflektojë”, ka thënë ai.

Ndërkaq shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se janë darkorduar që pronësinë mbi vettingun ta marrë Kuvendi i Kosovës.

“Nuk mund ta bëjë as vettingun e as këto ligje një parti”, tha ai, duke shtuar se nëse pozita hyn në këtë proces pa koordinim, atëherë ata nuk do t’i mbështesin.

Kryetari i Kuvendit, Galuk Konjufca, i cili e ka dërguar këtë projektligj në Komisionin e Venecias tha se i ka pritur opinionet e këtij komisioni dhe se i ka lexuar ato me vëmendje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë