Politike

Votohet Kodi i ri Penal, nisma për protestën dhe zgjedhjet në dorë të Metës

Mazhoranca në Komisionin Parlamentar të Sigurisë miratoi me 8 vota pro dhe 2 kundër ndryshimet e Kodit Penal, ku parashikohet ashpërsimi i masave për personat që bllokojnë rrugët apo dhe synojnë të godasin zyrtarët gjatë ushtrimit të funksioneve publike, për dhunën ndaj bluzave të bardha, si dhe për abuzimet me sigurinë ushqimore e mbrojtjen e specieve të mbrojtura të Faunës dhe Florës.
Janë 11 deputetë të mazhorancës që kanë firmosur nismën për ndryshimin e Kodit Penal. Amendamentet u paraqitën nga deputeti i PS-së, Ulsi Manja, i cili paraqiti dhe arsyet se pse u ndërmor një nismë e tillë. Në mbledhjen e komisionit ka pasur përplasje mes deputetëve socialistë dhe opozitës, këta të fundit e kanë cilësuar si një ngutje të madhe të mazhorancës për realizimin e këtyre ndryshimeve.
“Pse duhet të bëhen arnime në Kodin Penal, kur thoni që një grup deputetësh po punonjë për krijimin e një Kodi të ri Penal. Prisja që nisma të kishte shtrëngime të veprave penale të rënda. Një nen keni që është për protestat në rruge, por nuk keni për t’ia dalë të ndaloni pas 29 vitesh protestat në rrugë. Keni ju kurajo kur thoni që të ndalojnë protestat në rrugë”, deklaroi deputeti i opozitës, Myslym Murrizi. Ai kontestoi pikërisht nenin e paraqitur ku përcaktohej se “Vënia e pengesave ose ndalimi, me çdo mjet e mënyrë, i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, hekurudhor, ujor e ajror, dënohet me gjobe, ose me burgim deri në tre vjet”.
Socialisti Ulsi Manja ka mbrojtur këto ndryshime, duke deklaruar se “propozoj që në nenin për bllokimin e rrugës të merren në konsideratë edhe lloji i rrugëve që bllokohet. Nuk mund të jetë njësoj bllokimi i një rruge dytësore, me atë të bllokimit të një aksi nervalgjik”.

Një tjetër debat që është hapur në mbledhje ka qenë edhe për faktin se këto masa merrem për të ndëshkuar prishësit e procesit zgjedhor. Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi tha në mbledhjen e komisionit të Sigurisë se këto ndryshime po bëhen me nxitim, pasi janë në prag të zgjedhjeve. “Shpresoj të ketë marrëveshje mes palëve. Ju mendoni që kanë efekt të këto ndryshime, por unë mendoj se këto masa do të kenë efekte të kundërt ndaj opozitës, për mua janë herët”, theksoi Maliqi.

Socialisti Manja u shpreh se “Zgjedhje me 30 qershor natyrisht që do ketë se na detyron Kushtetuta. Sa për dhunën dhe përplasjen, ju garantojmë se nuk do të ketë sepse paketa penale e garanton këtë. Është e plotë dhe e sigurt dhe ka kaluar ne konsensus fatmirësisht bashkë me opozitën”.
Një tjetër debat në komision ka qenë edhe ai për kohën e hyrjes në fuqi të ndryshimeve të reja në Kodin Penal. Deputeti Spartak Braho shprehur nevojën e hyrjes në fuqi përpara zgjedhjeve të 30 qershorit të këtij ligji. “Këto dispozita duhet të hyjnë në fuqi para zgjedhjeve. Në një kohë kur kryeministri ka thënë kjo dënohet kaq e kjo aq, do të thotë që kryeministri i cili është edhe kryetari i mazhorancës është shqetësim për të”, theksoi Braho.
Për këtë iu kundërpërgjig Murrizi i cili theksoi se “sa për ngutjen që kolegu Braho thotë duhet të kalojmë se e ka kërkuar kryeministri, kjo tregon se jemi duke u qeverisur në një autokraci. Burgun se bën dot kryeministri”.

Ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë një shumicë të cilësuar të votave. Të majtës në Parlament i duhen edhe votat e opozitës për t’i votuar me 84 vota. Fakti që dy deputetët Murrizi dhe Maliqi kanë votuar kundër është një sinjal që “Opozita e re” në seancë mund të votojë kundër nismës.
Sakaq nëse ligji kalon në Parlament, Kodi do të vlerësohet nga presidenti Ilir Meta, i cili me anë të një dekreti do të shprehet nëse do ta kalojë, apo do ta kthejë për rishqyrtim në Parlament. Në varësi të këtyre afateve mund të shihet edhe nëse ligji do të hyjë në fuqi përpara zgjedhjeve të 30 qershorit ose jo, pasi me miratimin e tij në Parlament, Kodi do të hyjë në fuqi 15 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë