Nga Gazeta ‘Si’- Në një seancë që ka zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, Kuvendi miratoi ndryshimet e parashikuara në aktin normativ të qeverisë, që i hap rrugë bonusit të pranverës për pensionistët. Ky bonus do të shpërndahet për pensionistët në muajin shkurt.
Po ashtu, Kuvendi ka miratuar edhe shtyrjen e afatit të aplikimit për statusin e Investitorit Strategjik. Sipas ndryshimeve, aplikuesit kanë afat deri në dhjetor 2026.
U miratua edhe zgjatja e afatit të përjashtimit nga tatimi mbi fitimin për hotelet luksoze më 4 dhe 5 yje.
Sipas këtij pr/ligji të iniciuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi, të gjitha hotelet me 4 apo 5 yje që do aplikojnë për statusin special, pasi kanë një kontratë të nënshkruar me një brand name ndërkombëtar, do të bëjnë biznes pa taksa për 10 vite. Afati për të aplikuar për këtë përfitim skadoi në 31 dhjetor 2024, por me projektligjin e miratuar u shty për me 31 dhjetor 2026.
Deputeti Klosi tha se nga ky pr/ligj do të përfitojnë edhe 11 operatorë që do të bashkëpunojnë me brande ndërkombëtare, për të ndërtuar hotele me 4 – 5 yje në zonën me përparësi të zhvillimit të turizmit. Duke iu përgjigjur kritikëve nga socialistët, Braçe e Majko, të cilët e kundërshtuan pr/ligjin në Komisionin e Ligjeve, Klosi tha se përmes kësaj iniciative përjashtohen hotelet në qendrat e qyteteve dhe në Tiranë.
Kundër votoi Bujar Leskaj i PD-së, ndërsa abstenuan Erjon Braçe, Pandeli Majko dhe Petro Koçi.
Për deputeten e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, me këtë pr/ligj favorizohen oligarkët.
Kuvendi miratoi gjithashtu marrëveshjen me Bankën Europiane për Zhvillim për financimin e hekurudhës Tiranë-Durrës-Rinas.
Gjithashtu, u miratua edhe aderimi i Shqipërisë në aktet dhe dokumentet e Kongresit të 27-të të Bashkimit të Përbotshëm Postar (UPU). Kjo nismë afron Shqipërinë me standardet ndërkombëtare në fushën e shërbimit postar.
Po ashtu u hap drita jeshile edhe për ndryshimet ligjore në menaxhimin e mbetjeve, duke e përafruar legjislacionin shqiptar me atë të BE-së.
Ndërkohë, u rrëzua kërkesa e PD-së për ngritjen e komisionit hetimor për miratimit të projektit “Marina & Jahtet e Durrësit” dhe ndërtimin e portit të ri në Porto Romano.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




