Politike

Votimi nga jashtë / Mbi 4100 emigrantë të regjistruar në aplikacionin e KQZ në 24 orë

Prej më shumë se 24 orësh ka nisur procesi i regjistrimit të emigrantëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, për të marrë pjesë në procesin zgjedhor të 11 majit.

Në portalin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, seksionin votuesit nga jashtë deri në ora 09:00 të paradites vihet re se kanë aplikuar për t’u regjistruar si votues 4191 shtetas shqiptarë që jetojnë jashtë kufirit. Nga këta janë miratuar 145 kërkesa. Sipas statistikave të publikuara vërehet se janë 3165 meshkuj ose 75,52% e totalit, dhe 1026 femra ose 24,48% e totalit.

Kërkesat më të larta janë nga shqiptarët që jetojnë në Itali. Më tej janë emigrantët shqiptarë në Gjermani, Greqi, SHBA…etj.

Një staf i KQZ-së, punon me 3 turne për t’u përgjigjur kërkesave, duke i informuar për kalimin me sukses, apo refuzimin.

Aplikimet mbyllen në datën 4 mars 2025. Në 11 maj shqiptarët do t’u drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur qeverinë dhe parlamentin e ri.

Nëse jetoni jashtë Shqipërisë, për t’u regjistruar si votues në zgjedhjet e 11 majit duhet të aplikoni në këtë LINK


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë