Politike

Votimi i lojërave politike / PD- PS japin votat për komisionin anti-KLSH, Spaho refuzon, Bardhi llogari pse s’futet raporti vjetor për KLSH (replikat)  

Nga Gazeta Si – Kuvendi miratoi të enjten ngritjen e nënkomisionit për mbikqyrjen indirekte edhe të KLSH me 90 vota pro, 1 abstenim dhe 4 kundër. Komisioni do të drejtohet nga Emilia Koliqi, ndërsa Eslenvera Zake do të jetë nënkryetare.

Anëtarë të komisionit do të jenë Alban Xhelili, Sorina Koti dhe Pranvera Resulaj. Ndërsa Edmond Spaho dha dorëheqjen nga komisioni. Paralelisht me ngritjen e këtij nënkomisioni mjaft të diskutuar se do të ndërhyjë edhe në punën e KLSH.

Gazment Bardhi ka kërkuar shpjegime se pse nuk është futur në rendin e ditës raporti vjetor i KLSH një tjetër diskutim i gjate që mori më herët nëpër komisionet parlamentare.   

Votimi per ngritjen e komisionit te Auditimit ne Sektorin Publik

“Në mënyrë të pa shpjegueshme ju nuk keni përfshirë as sot as nesër raportimin të një institucioni kushtetues, KLSH. Madje ka ndodhur e duhet ta dënojmë një praktikë të tillë në komisionin e ekonomisë. KLSH u vu përballë një situate të pandodhur, ku një rast specifik i një rekomandimi të lëshuar nga KLSH është tentuar të ballafaqohet një nëpunëse publike me KLSH. Praktikë e tillë nuk ka ndodhur më parë dhe është shkelje e hapur e pavarësisë së KLSH. Kuptoj që veprimtaria e KLSH mund të ketë shqetësuar shumë kolegë në sallë. Komisioni i Ekonomisë duhet të mblidhet sot, të miratojë draft rezoluta dhe KLSH duhet të thirret nesër të raportojë. Ju zonja kryetare keni shkelur çdo afat sepse është detyra juaj që kalendari të zbatohet nga komisionet. Mundësoni që sot të mblidhet komisioni i Ekonomisë dhe nesër në rend dite të përfshihet raportimi i KLSH”, tha Bardhi.

“Nuk përbën asnjë habi as për mua as për kolegët tanë qëndrimet e hallakatura se s’mund t’u thuash as grup, shpresoj që Bardhi të jetë iluminuar mbi nënkomisionin që sapo miratuam, që paradoksalisht një anëtar dha dorëheqjen”. Replikoi Shalsi duke iu referuar në fakt dorëheqjes së Edmond Spahos nga nënkomisioni për auditimin

Eduard Shalsi tha se KLSH nuk është ende  gati për të dorëzuar një raport.

“Po mashtroni, vetë relatorja tha nuk kemi më pyetje. Kjo jo vetëm u kalua rezoluta, por Shalsi bëri edhe një amendim, cila është arsyeja që s’po futet. Është shantazhi, mbajtja peng e institucionit i cili po zbardh skandalet e kësaj qeverie. I vetmi burim transparence, pse u thirr vetëm një nëpunëse mënyra që edhe sigurimi i shtetit do e kishte zili”, tha Vokshi

Deputeti i PS Erion Braçe u shpreh se kreu i KLSH ka raportuar për disa herë në Komisionin e Ekonomisë, dhe se anëtarët e PD nuk i kanë bërë asnjë pyetje.

“Në Komision nuk kanë bërë asnjë pyetje, sot stisin një seancë vetëm me pyetje, kjo është e neveritshme, e një niveli ordiner”, tha Braçe.

Bardhi replikoi nga vendi dhe pa mikrofon, ku me tone të larta i është drejtuar Braçes duke i thënë “palaço”. “Kur shkel Kushtetutën, palaço je”, i tha Bardhi Braçes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë