Politike

Votimi elektronik? Por të vegjlit s’u besojnë PD e PS për numërimin

Bledar Hoti -Partitë e vogla kërkojnë që votat të mos i numërojnë komisionerët e partive të mëdha PS dhe PD, por të jenë të depolitizuar.

Ky ka qenë qëndrimi i drejtuesve të këtyre partive, të cilat edhe pse kanë qenë në koalicion me Partinë Socialiste apo dhe Partinë Demokratike nuk kanë pasur besim se votat e tyre do të mbroheshin nga aleatët e mëdhenj.

Bashkëkryetari socialist për reformën zgjedhore, Bledi Çuçi në mungesë të Partisë Demokratike prezantoi draftin e hartuar nga eksperti i kësaj force politike, Viktor Gumi, mbi ndryshimet e Kodit Zgjedhor.

Në këtë takim merrnin pjesë përfaqësuesit e partive politike joparlamentare, të KQZ-së, të përfaqësive diplomatike etj.

Bledi Çuçi deklaroi se kjo ishte një tryezë e parë konsultative tha se këto ndryshime janë bazuar të rekomandimet për zgjedhjet të paraqitura nga raportet e OSBE-së dhe të ODIHR ndër vite.

“Për të përmbushur rekomandimet e OSBE-së dhe të ODIHR-it kemi bërë disa propozime, pikërisht në këtë frymë, që së pari të ngushtojmë sa më shumë nevojën për financim të partive politike për fushatën zgjedhore, dhe të rrisim forcën e kontrollit të shpenzime të partive politike”, tha Çuçi.

Duke pretenduar se këto amendamente nuk janë të PS-së, por edhe të një pjese të faktorëve dhe të shoqërisë civile, bashkëkryetari socialist theksoi se “jemi të hapur për të përdorur teknologjinë në procesin zgjedhor, si një mjet për të lehtësuar dhe garantuar një rezultat sa më afër të së vërtetës dhe dyta kemi punuar për të adresuar një nga gangrenat më të mëdha si lënia jashtë të 33% të shqiptarëve, të emigrantëve pa votuar”.  Për votimin elektronik, kërkesë e PD-së, Çuçi theksoi se jemi të hapur për të bashkëpunuar me opozitën që sot, me qëllim për të kapur kohën në mënyrë që ta pilotojnë që në zgjedhjet vendore. Ndërsa për votën e emigrantëve ky projekt duket se mund të përfshihet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Përfaqësuesit e partive të vogla në këtë takim fajësuan dy partitë e mëdha për mënyrën se si kanë vepruar për zgjedhjet në Shqipëri, e për këtë kanë theksuar se rruga më e mirë është depolitizomi i komisioneve. Kryetari i Partisë Zgjidhja, Koço Kokëdhima, duke akuzuar se shkatërrimi i zgjedhjeve në Shqipëri erdhi si rezultat i ndërhyrjeve që kanë bërë në ligj socialistët dhe demokratët. “Duam akses të barabartë në administratën zgjedhore. Nuk duam që këto dy parti të numërojnë, nuk duam diskriminim”, theksoi Kokëdhima. Të njëjtin qëndrim mbajti edhe kryetari i Partisë Socialiste të Moderuar, Gjergji Koja. Ai theksoi se kërkoi që nga palët, duke nënkuptuar dy partitë kryesore, me këto ndryshime të mos kërkohet një alibi për bojkotimin e zgjedhjeve. Madje përfaqësuesit e partive politike deklaruan se nëse partitë e mëdha mbesin jashtë numërimit të votave, edhe numërimi elektronik i votave është i panevojshëm.

Në këtë takim foli edhe ambasadorja e Gjermanisë në vendin tonë, Susanne Schütz, e cila  ka kërkuar nga Shqipëria që të plotësohen të gjitha rekomandimet e kërkuara nga OSBE/ODIHR për reformën zgjedhore.

“Reforma zgjedhore është e përfshirë gjithashtu në Këshillin Europian dhe është shumë e rëndësishme për ta adresuar tek Shqipëria për të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe në këndvështrimin e vendimit që do të merret për hapjen e negociatave vitin e ardhshëm. Unë e shoh mjaft të rëndësishme që Shqipëria duhet të plotësojë këto rekomandime dhe për të vendosur këto rregulla të ligjit në kohë”, tha diplomatja gjermane në fjalën e saj në tryezë.

Reagimi i ndërkombëtarëve

Për sa i përket tryezës së zhvilluar dhe reformës zgjedhore kanë reaguar me deklarata dhe ndërkombëtarët.

Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Bernd Borchardt mirëpriti paraqiti e një drafti nga ana e bashkëkryetarit socialist Bledi Çuçi, duke bërë thirrje për një bashkëpunim me opozitën. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Borchardt theksoi se këto ndryshime duhet të miratohet 6 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

“Mirëpresim vënien në tryezë të një drafti për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Mirëpresim gjithashtu paraqitjen me një ndjesi urgjence të këtij drafti nga Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore. Praktikat më të mira ndërkombëtare për reformë zgjedhore kërkojnë që këto reforma të miratohen të paktën gjashtë muaj përpara zgjedhjeve. I nxisim të gjithë aktorët politikë të përfshihen në dialog konstruktiv në lidhje me këtë draft. Mund të gjenden edhe mënyra të tjera për adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, dhe sugjerime të detajuara nga aktorë të tjerë politikë do të ishin ndihmë për nisjen e një dialogu domethënës”, komenti ambasadori në Facebook.

Më pas qëndrimi erdhi edhe nga ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca.

"Reforma zgjedhore është kyç për Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, siç edhe u theksua në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian qershorin e kaluar. Ne presim që partitë politike të punojnë së bashku për reformën zgjedhore, duke u angazhuar në mënyrë gjithëpërfshirëse për të trajtuar rekomandimet prioritare të OSBE-ODIHR-it. Në Komisionin Parlamentar Ad-Hoc është bërë një punë shumë e mirë për reformën zgjedhore. Këto përpjekje duhet të përfundojnë sa më shpejt që të jetë e mundur, me ndryshime në ligjin zgjedhor, të miratuara në kohën e duhur para zgjedhjeve vendore të vitit 2019", deklaron ambasadori i ri i BE-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë