Politike

Votat e Greqisë u ndanë, KQZ: S’ka vendim për t’i përjashtuar nga numërimi

Nga Gazeta Si- Përmes një reagimi në rrjetet sociale, KQZ sqaron se nuk ka vendim për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi i votave, shqiptarët që kanë votuar nga Greqia.

Pas tensioneve të regjistruara mbrëmjen e djeshme te Parku Olimpik, KQZ mori vendim që të vijohet me numërimin e fletëve të votimit duke lënë mënjanë zarfet nga Greqia, me qëllim zhbllokimin e procesit.

Në njoftim sqarohej se do të ketë një vendimmarrje të dytë për zarfet e Greqisë, ndërsa Partia Socialiste përmes drejtuesit politik për Diasporën, Taulant Balla kërkoi shfuqizimin e vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për mosnumërimin e votave të ardhura nga Greqia.

Lidhur me të gjithë situatën KQZ sqaron sot se “vendimi i marrë një ditë më parë, ka si qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë, gjatë kohës kur ky dokumentacion, shqyrtohet nga numëruesit dhe komisionet përkatëse të administrimit të numërimit dhe vlerësimit të votave nga jashtë për 12 qarqet e vendit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë