Futboll

Vota përmes futbollit, strategjia e Orban me hungarezët jashtë kufirit

Hungaria nën drejtimin e kryeministrit të djathtë Viktor Orban është duke investuar fonde të mëdha për klubet e futbollit në zonat me origjinë etnike hungareze në të gjithë rajonin e Ballkanit, pjesë e një strategjie të rëndësishme për të marrë sa më shumë vota.

Në fund të tetorit, kryeministri hungarez Viktor Orban ishte mysafir nderi në hapjen e një akademie të futbollit të financuar nga Hungaria në Serbinë veriore, kur ai lëshoi një thirrje për unitet që duket jo tipike për një politikan që fuqinë e tij e ka konsoliduar duke inkurajuar ndarjen. “Ne jetojmë në një Evropë, ku ka vend vetëm për ata që qëndrojnë të bashkuar dhe jo ata që mbjellin fara të mosmarrëveshjeve”, tha Orban gjatë ceremonisë. Por në fakt nga fjalët e Orban dhe qëllimi i vërtetë i akademisë ishte uniteti hungarez.
Bazuar në rajonin e Vojvodinës në Serbi, ku hungarezët etnik përbëjnë një pakicë të konsiderueshme, akademia TSC në Backa Topola u ndërtua me një fond prej 9.5 milionë euro nga Federata Hungareze e Futbollit.

Një turne U-14 për të shënuar këtë rast, mblodhi së bashku një mori ekipesh me lidhje të drejtpërdrejta me Hungarinë dhe në disa raste, partinë e djathtë “Fidesz”. Ferencvarosh nga kryeqyteti hungarez, Budapest, drejtuesi i së cilës është deputet i Fideszit, “Pushkash Akademi” i Felcsut, ku Orban kaloi një pjesë të fëmijërisë së tij janë skuadra hungareze me lidhje të drejtpërdrejta me Orban. Por edhe Osijek, skuadër kroate, gjithashtu ka lidhje hungareze, klubi sllovak FC DAC dhe ai rumun FK Miercurea Ciuc, gjithashtu nga pakicat etnike hungareze në Sllovaki dhe Rumani. Gjigandët serbë, Partizani i Beogradit dhe FK Vojvodina e Novi Sadit ishin ekipet e vetme të pranishme në këtë eveniment pa një lidhje të qartë hungareze.

Që futbolli është një pasion i veçantë i Viktor Orbanit është një fakt i njohur. Udhëheqësi hungarez luajti në nivelet e ulëta të ligës hungareze të futbollit dhe në vitin 2014, fshati ku ai u rrit, me një popullsi prej vetëm 1.800 njerëzish, u bë përfituesi i një stadiumi modern me 3,800 vende. Skuadra e futbollit mori emrin e futbollistit më të madh hungarez të të gjitha kohërave, Ferenc Pushkash.

Osijek fitoi turneun, ndërsa Orban i dorëzoi kupën. Por vitin e ardhshëm ekipi kroat mund të përballet me një sfidues të ri. Synimi më i fundit i politikës së Orbanit për të qetësuar hungarezët etnikë anembanë rajonit është fuqizimi i NK Nafta 1903, nga qyteti slloven i Lendavës. Lendava është kryeqendra demografike dhe kulturore e pakicës hungareze në Slloveni, ku numërohen mbi 4.000 hungarezë etnikë, sipas një regjistrimi të vitit 2002. Pjesë e Perandorisë Austro-Hungareze deri në fund të Luftës së Parë Botërore, Lendava dhe rajoni i Prekmurjes u përfshinë në Mbretërinë e sapoformuar të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve dhe pastaj, pas Luftës së Dytë Botërore u bë pjesë edhe e Republikës Socialiste të Sllovenisë brenda Federatës Jugosllave.

Klubi i futbollit NK Nafta dikur u rendit si më i vjetri në Slloveni, i themeluar në vitin 1903, në vitin 2012, kur ky klub shpalli falimentin. Klubi konkurron në divizionin e dytë slloven, por ambicia për t’u ngjitur në kategorinë e parë ka marrë një nxitje nga një injeksion financiar i ardhur nga Hungaria fqinje. Qeveria e Orban ka premtuar të dhurojë afërsisht 5.9 milion euro për ndërtimin e një akademie futbolli së bashku me një konvikt për studentët që ndjekin shkollën e mesme dygjuhëshe slloveno-hungareze. Disa këshilltarë të qytetit kundërshtuan masën për të dorëzuar tokën komunale për projektin me një qira 20-vjeçare, por u anulua nga një shumicë e joshur nga perspektiva e Lendavës për t’u bërë një qendër e re futbolli, që pritet të tërheqë talente nga larg. Ndërtimi pritet të përfundojë deri në fund të kësaj dekade.

“Lendava do të ketë tre fusha futbolli, një me bar artificial dhe dy me bar natyral”, tha për BIRN në një intervistë telefonike anëtari i bordit të NK Nafta, Igor Magdiç. “Këto fusha do të jenë edhe me ngrohje. Ata do të kenë një strukturë sportive shoqëruese me dhoma zhveshje, një sallë palestre, bar, konvikt dhe kështu me radhë”.

Njeriu pas projektit Lendava është Ferenc Horvath, president i organizatës ombrellë të pakicës hungareze “MMËNK”, anëtar i parlamentit slloven dhe një mik i ngushtë i Orbanit. Si një tifoz i zjarrtë i futbollit, Horvath e shtyu idenë e aplikimit nga MMËNK për fondet e qeverisë hungareze në vitin 2016. “Ishte dëshira ime që të kemi një projekt që mbështet të rinjtë”, tha ai në zyrën e tij parlamentare në kryeqytetin slloven, Lubjanë.
Horvath tha se hungarezët etnikë në Goricko të Prekmurje, janë në një numër të konsiderueshëm, “Kemi kërkuar prej 10 apo 20 vitesh që Lendava të ndërtojë një lloj konvikti në mënyrë që fëmijët të mund të vazhdojnë studimet e tyre në një shkollë të mesme dygjuhësore”.

Një propozim fillestar për të krijuar një akademi të veçantë të futbollit u zëvendësua së shpejti nga një plan për të ndërtuar një akademi me dhe për klubin ekzistues Nafta. Kapitali privat hungarez këtë radhë erdhi përmes, Gabor Vegh, një biznesmen me lidhje me Orbanin, duke u ofruar për të sponsorizuar ekipin me shumën prej 350 mijë euro nga fondet e kompanisë së tij. Bordi i klubit menjëherë e zgjodhi atë president.
Megjithatë stafi dhe lojtarët e NK Nafta 1903 mbeten kryesisht të pandryshuar. Por shembujt për fondet e dhëna për futbollin nuk janë vetëm në Hungari.

Motivi politik

Që nga koha kur Orban mori detyrën për herë të dytë, në vitin 2010, qeveria e tij ka bërë një përpjekje të bashkërenduar për të arritur tek hungarezët në shtetet fqinje dhe Sllovenia nuk bën përjashtim. Lendava tani është shtëpia e një konsullate hungareze, si dhe e një zyrë të veçantë, e financuar nga Hungaria, me qëllimin e vetëm për të ofruar ndihmë financiare për njerëzit në komunat me komunitet dygjuhësor.

Ndihma nuk është e kufizuar vetëm për hungarezët etnikë. Njerëzit me prejardhje të tjera etnike mund të aplikojnë për sa kohë që mund të flasin rrjedhshëm gjuhën hungareze. Për kompanitë me një fuqi punëtore që është të paktën 50 % hungarisht folëse ka të drejtë të aplikojë në këtë projekt. Vetëm në 2017, 155 individë morën gjithsej 1.5 milionë euro nga kjo zyrë.

Edhe bizneset hungareze po hyjnë në veprim. Hedhja e gurit me ndërtimin e akademisë së ardhshme të futbollit dhe e kompleksit SPA në Lendava, nis një në proces të transferimit të rajonit. Sipas një ligjit hungarez që hyri në fuqi në vitin 2011, hungarezët etnikë në Prekmurje, si dhe të afërmit e tyre etnikë, mund të kërkojnë shtetësi dhe të drejtë vote në zgjedhjet hungareze. Rreth një milion në Serbi, Ukrainë, Rumani dhe gjetkë raportohet se kanë bërë kështu. Rreth 200,000 minoritar u regjistruan për të votuar në zgjedhjet hungareze të vitit 2014.

Kjo shpjegon dhe arsyen pse 95% e votuesve të këtyre rajoneve mbështetën Orban, i cili falë kësaj vote mori 1 mandat e gjysmë në parlament, por që ishte vendimtare për të rifituar shumicën e dy të tretave në parlament. Shifrat në Slloveni janë shumë të ulëta për çdo kthim të rëndësishëm politik në investimin hungarez. Rreth 600 hungarezë etnikë nga Sllovenia kanë të drejtën e votës, por jo të gjithë do ta ushtrojnë atë. Ambasada Hungareze në Lubjanë nuk u përgjigj kërkesës zyrtare nga BIRN. Horvath tha se NK Nafta 1903 ishte vetëm një investim në futboll.”Një nga qëllimet tona është të bëjmë bashkë të gjithë ata që dëshirojnë të mësojnë futbollin në një nivel më të lartë pavarësisht nga kombësia ose vendi i tyre i “, tha ai. “Ne tashmë po shohim fëmijë nga Hungaria, Kroacia dhe, natyrisht Sllovenia.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë