Politike

Vota e emigrantëve, ndryshon sërish Kushtetuta?

Politika shqiptare e ka shndërruar në traditë që sapo mbyllen kutitë e votimit të një procesi zgjedhor të hapë debatin për ndryshimin e Kodit Elektoral. Por, këtë herë ndërhyrja në këtë Kod mund të kërkojë ndërhyrjen për herë të pestë në historinë 20-vjeçare të Kushtetutës së vendit.

Ndërhyrja e parë u bë në 2007, kur ligjvënësit zgjatën mandatet e të zgjedhurve vendorë nga tre në katër vjet. Një vit më vonë, Partia Socialiste dhe Partia Demokratike gjetën kompromisin dhe shpërfillën qëndrimet e partive të vogla duke ndërhyrë në Kushtetutë dhe ndryshuar gjithë sistemin zgjedhor. Në 2012, nën presionin e ndërkombëtarëve u ndërhy sërish në ligjin themeltar për të kufizuar imunitetin e deputetëve, ndërsa në 2016 ndryshimet ishin akoma më të thella në kuadër të reformës në drejtësi, por nuk u prek pjesa e sistemit zgjedhor, e sanksionuar që me ndryshimet e 2008-s.

Ndryshimi i madh në 2008 ishte ai i përcaktimit në Kushtetutë të kalimit nga sistemi i përzier, ku 100 deputetë zgjidheshin sipas sistemit mazhoritar dhe 40 të tjerë sipas proporcionalit kombëtar, në sistemin proporcional rajonal me lista shumëemërore. Zgjedhjet e 2009, të 2013 dhe të 2017 u bënë sipas këtij sistemi.

Por, megjithëse Kodi e Kushtetuta janë është ndryshuar disa herë, në asnjë moment në to nuk është përfshirë vota e emigrantëve. Kjo mbetet ende një sfidë për vendin dhe misionin për t’ua garantuar shqiptarëve që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë këtë të drejtë universale e ka marrë përsipër Pandeli Majko, ministër i Shtetit për Diasporën.

Pas zgjedhjeve të qershorit të 2017, edhe si pjesë e marrëveshjes Basha-Rama të 17 majit, u ngrit Komisioni i Reformës Zgjedhore. Në nëntor, kur ky komision nuk kishte zhvilluar ende mbledhjen e parë u bënë publike propozimet e Majkos për mënyrën e regjistrimit dhe votimit të emigrantëve, propozime që ishin hedhur për shqyrtim në tryezën e këtij komisioni.

Regjistrimi i tyre, sipas Pandeli Majkos mund të bëhet në tre mënyra. Dy prej tyre janë kërkesa me postë tradicionale, ose postë elektronike tek një strukturë të posaçme që do të krijohet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Mënyra e tretë e regjistrimit propozohet paraqitja e emigrantit në selitë diplomatike të Shqipërisë.

Për votimin e emigrantëve në këtë dokument janë parashikuar dy mënyra, votimi i drejtpërdrejtë dhe ai me postë. Votim i drejtpërdrejtë do të bëhet në qendra të posaçme të ngritura jashtë Shqipërisë, ku procesi do të bëhet njësoj si brenda vendit, ndërsa votimi me postë duke marrë fletën e votimit nga interneti, apo me shërbim postar dhe procesi i dërgimit të votës për në Shqipëri do të bëhet me një shërbim special poste.

Nëntori është duke ardhur sërish, por progresi në këtë drejtim jo. Pandeli Majko i rikthehet kësaj çështjeje. Duke folur në rubrikën e intervistave të “ERTV” në Facebook, ministri i Diasporës foli për një ngërç, që me klimën aktuale politike në vend duket i pakalueshëm.

“Kam frikë se do të na duhet që të prekim Kushtetutën për këtë çështje, pasi një nga sistemet, apo një nga modelet e përshtatshme që do të garantojë pjesëmarrjen permanente të diasporës do të kërkojë ndryshimin e formulës së zgjedhjes së deputetëve. Me sistemin aktual, nëse do të votohet me kuti, do të na duhet të dërgojmë 12 kuti në qendrat e votimit për diasporën”, tha Majko.

Ministri Majko i referohet nenit 64 të Kushtetutës, që përcakton se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë zgjidhen me sistemin proporcional me lista shumëemërore. Megjithatë, ai mbetet optimist.

“Pasi të gjithë kolegët e mi, qofshin të djathtë, qofshin të majtë janë shprehur pro votës së diasporës dhe kjo ka shumë rëndësi”, deklaron ai.

Pandeli Majko nuk jep detaje për modelet, apo sistemin që propozon, por thekson nevojën që edhe Shqipëria t’u garantojë të drejtën e votës emigrantëve.

“Jemi ndër të paktat vende në botë që nuk lejojmë votën e emigrantëve. Kemi disa mundësi, njëra është edhe pa shpenzime. Tani të gjithë shtetasve shqiptarë u përfundon afati 10-vjeçar i përdorimit të kartave të identitetit dhe pasaportës dhe është momenti që adresa të shënohet e saktë”, shprehet Majko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë