Politike

Vota e emigrantëve, KQZ: Duhet realizuar veç me postë ekspres. Asnjë operator s’e merr përsipër në më pak se 45 ditë

Nga Gazeta 'Si'- Kryekomisioneri Ilirian Celibashi ngre alarmin tek partitë politike se koha për të çuar dhe për të marrë zarfin me votën e emigrantëve është e pamjaftueshme.

Pas konsultimit të KQZ më operatorët postar është vërejtur se nevojiten mimimalisht 30 ditë për këtë proces në rast të kundërt rrezikohet që vota e emigrantëve të bëhet e pavlefshme, për shkak se zarfi mund të mos vijë në kohë.

Në dokumentin dërguar partive politike shpjegohet se pse vota e emigrantëve pa ndryshime në kodin zgjedhor mund të dështojë për shkak të  afateve.

“Të gjithë ofruesit e shërbimit postar ndërkufitar bënë me dije se koha që ju duhet për dërgimin e fletëve të votimit nga Shqipëria, në adresat përkatëse të votuesve jashtë vendit është 45 ditë.

Koha më e shkurtër, por që do ta vinte gjithsesi në vështirësi/pasiguri procesin është 30 ditë. Sikurse ju e dini afatet për regjistrimin e subjekteve zgjedhore dhe kandidateve, së bashku me kohën për prodhimin e fletëve të votimit datojnë rreth 10-12 ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Në çdo rast jo më parë se 30 ditë përpara. Të gjithë operatorët përfshi edhe atë publik vlerësojnë se është e pamundur dërgimi i fletëve të votimit jashtë dhe kthimi i tyre në Shqipëri në një kohë më të shkurtër se 30 - 45 ditë. Praktikat e vendeve të tjera ku disa prej këtyre operatoreve janë angazhuar në votimin nga jashtë konfirmojnë afatin e dërgimit dhe te kthimit te fletëve të votimit nga jashtë, në një periudhe kohore jo më të pakët se 45 ditë.”

Për këtë, KQZ ka bërë edhe testime me shqiptarë jashtë vendit, të cilët kanë dërguar zarfe në KQZ, por as nga vende të afërta si Italia apo Zvicra, nuk ka ardhur brenda 10 ditëve.

Zgjidhje do të ishte ndryshimi i Kodit Zgjedhor që emigrantët të lejohet të votojnë më herët. Ose që votat e tyre të priten disa ditë pas zgjedhjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë