Politike

Vota e diasporës ngec tek mënyra se si duhet realizuar

Në mbledhjen e grupit të punës për reformën zgjedhore ku mori pjesë edhe kryekomisioneri Ilirjan Celibashu u diskutua gjatë për mundësinë e votës së diasporës ku vullneti duket se nuk mungon por nuk ka dakordësi për mënyrën.

“Palët janë angazhuar seriozisht për këtë çështje. Ka interes dhe ka vullnet për të gjetur një zgjidhje lidhur me këtë çështje. Ata donin të dinin mënyrën si do të regjistroheshin ata që duan ta ushtrojnë këtë të drejtë. Çështja e afatit ka rëndësinë e vet por ajo që unë propozova është të jetë KQZ i cili administronim kërkesat e  votuesve që duan të votojnë jashtë territorit të Shqipërisë. Adresuam pyetjet për çështje të ndryshme. Mendoj që votimi të kryhej ose nëpërmjet internetit ose në mënyrë elektronike. Nuk mendoj se është votimi më postë. Si zgjidhja më e mirë një tjetër opsion ku fleta e votimit  mund të dërgohet në mënyrë elektronike me postë. Kjo është çështje teknike, është zgjidhje që bazohet në interesin e palëve të partive politike. Për ta zhvilluar në gjithë territorin e vendit votimin elektronik, çdo ditë që kalon mendoj se është thuajse e pamundur që votimi elektronik të zhvillohet në gjithë territorin e Shqipërisë” tha Celibashi pas takimit.

Nga ana tjetër përfaqësuesi i PD së Rithemelimit, Oerd Bylykbashi, tha pas  se janë së paku 1.2 mln shqiptarë jashtë vendit me të drejtë vote.

Ai tha se PD është dakord me një votim me postë, por se kjo postë të jetë ndërkombëtare e jo shtetërore.

“Sot sipas Ministrisë së Brendshme kanë të drejtë vote jashtë Shqipërisë rreth 18 mijë persona, ndërsa votues realë janë 1.2 milionë. 18 mijë personat janë individë, që kanë prirje të votojnë PS-në. Ligji lejon edhe votimin me postë, por edhe atë elektronik. Estonia prsh e ka sistemin e votimit tërësisht elektronik dhe e kanë sistemin shumë të mbrojtur, mbetet për t’u parë sesa efektiv mund të jetë mekanizmi. Të zhduket filtri i votës së diasporës. Diaspora të votojë nëpërmjet një poste ndërkombëtare. Ne duam që votimi të bëhet me postë dhe në mënyrë të besueshme, por nuk duam që të bëhet nga Posta Shqiptare, e cila mund të kontrollohet nga qeveria” u shpreh Bylykbashi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë