Nga Gazeta ‘Si’ – Vota e Diasporës vendoset seriozisht në rrezik pas qëndrimit të Partisë Demokratike për të mos votuar amendamentet e paraqitura nga kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi lidhur me ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaroi se shumica po e refuzon amendamentin që të votojnë edhe shqiptarët që nuk kanë një dokument identifikimi shqiptar.
“Asnjë votim dhe asnjë ndryshim nuk bëjmë nëse nuk pranohet ky amendament i yni. Janë bërë edhe 2-3 të tjera, por harrojini. Për ne ky është kushti. Nëse duan t’i votojnë bashkë me këtë jemi dakord. Vota e diasporës vihet shumë në rrezik nëse ti përjashton ⅔ e shqiptarëve jashtë vendit. Këta e dinë që Diaspora i urren. Këta tani e kuptuan. Menduan se do ishte ndryshe, por po u del krejt tjetër”, deklaroi Berisha.
Pak ditë më parë Komisoneri Shtetëror Celibashi propozoi një draft në Kuvend që u jep mundësinë të votojnë edhe emigrantët që kanë dokumente të skaduara si dhe afrimin me 10 ditë të afateve të regjistrimit të kandidatëve për t’i dhënë më shumë mundësi administratës për të nisur fletët e votimit në Diasporë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




