Gazeta Si – Një magazinë në Vorë që falsifikonte datat e skadencës së produkteve ushqimore është zbuluar nga Policia e Tiranës, duke çuar në pranga administratorin e subjektit, 38 vjeç, si dhe magazinierin 58 vjeç.
Në shkelje të ligjit për sigurinë ushqimore, të arrestuarit falsifikonin etiketat e skadencës së produkteve ushqimore të përpunuara, të cilat ishin të skaduara që prej janarit dhe shkurtit të këtij viti.
Këto produkte më pas hidheshin sërish në treg, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e konsumatorëve.
Sipas asaj që bën të ditur policia, është sekuestruar një sasi e madhe mallrash ushqimore të përpunuara, të skaduara në muajin janar dhe shkurt me etiketa skadence të falsifikuara.
Nga pamjet e shpërndara nga policia, shihet se produktet e skaduara përfshinin brioshë, fruta të thata, fara, pije dhe hurma arabie.

Bëhet fjalë për subjektin ‘Master AL’ në Vorë. Ky subjekt, me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor.
Gjatë kontrollit në magazinën e subjektit “Master AL”, janë sekuestruar 716 koli me produkte ushqimore të përpunuara, të cilave u ishte kaluar afati i përdorimit që në muajin janar dhe shkurt 2025, por që ishin etiketuar sërish me data të reja skadence, me qëllim rihedhjen në treg, duke përbërë një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorëve.

“Nga hetimet rezultoi se subjekti me aktivitet import-eksport dhe tregtim të produkteve industriale dhe ushqimore, grumbullonte produkte të skaduara nga tregje të ndryshme në Tiranë, Durrës e Elbasan, u falsifikonte datat e skadencës dhe i hidhte sërish në treg, pa dokumentacion tatimor. Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e prova materiale 716 koli dhe dhjetëra kilogramë me mallra ushqimorë të përpunuara që kishin afatin e skadencës në janar dhe shkurt 2025 dhe afati i skadencës ishte falsifikuar me qëllim rihedhjen në treg për shitje”, njoftoi Policia e Shtetit.
Ndaj tyre rëndojnë akuzat “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve”, “Fshehja e të ardhurave”, “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Importi, prodhimi, shitja, ruajtja e ushqimeve të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



