Sociale

Vonojnë pagesat e invaliditetit dhe ndihma sociale, radhë të gjata në sportelet e postës

Nga Gazeta 'Si' - Prej disa ditësh, në sportelet e postës në Tiranë nuk po shpërndahen pagesat e invaliditetit dhe pagesat e ndihmës ekonomike. Ndryshe nga muajt e tjerë, kur në fund të muajit shpërndahen fondet e dedikuara për grupet vulnerabël, njësitë vendore nuk kanë dërguar në postë pagesat duke lënë në pritje qindra persona përfitues në kryeqytet.

Në zyrën postare në zonën e Brrylit, prej 3 ditësh qëndrojnë deri në mesditë qindra qytetarë, duke shpresuar të marrin pensionet e invaliditetit apo pagesat e ndihmës ekonomike.

Por muaji shkurt po mbyllet dhe ata, edhe sot nuk kanë marrë asgjë.

‘Pyetëm në sportelin e postës dhe ata thonë që nuk kanë asnjë informacion se kur njësitë bashkiake do të sjellin listat dhe fondet e dedikuara nga buxheti i shtetit. Ne jemi familje me të ardhura të pakta, kemi nevojë për këto para, ka një indiferencë totale të shtetit’, thonë disa qytetarë.

Nuk është hera e parë që në Tiranë ka vonesa në shpërndarjen e pagesave të invaliditetit dhe ndihmës ekonomike. Teksa posta ja hedh fajin njësive bashkiake, ata që vuajnë pingpongun janë qytetarët, të cilët kërkojnë të drejtën e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë