Politike

Von der Leyen takon liderët e Ballkanit: Gjashtë vendet i përkasin Evropës! Jemi duke punuar për këtë

Nga Gazeta 'Si' - Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, u takua në Bruksel me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor për një drekë pune.

Në këtë takim morën pjesë kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia u përfaqësua me presidentin e saj.

Në një shkrim në X pas takimit, Von der Leyen tha se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë vendin në Bashkim Evropian.

"Sot i prita liderët e gjashtë partnerëve nga Ballkani Perëndimor. Që të gjitha gjashtë vendet e kanë vendin në Evropë. Pikërisht për këtë jemi duke punuar. Njëkohësisht, ne jemi duke i sjell ekonomitë dhe tregjet e tyre më afër tonave me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë eurosh për rajonin", shkroi ajo.

Sipas burimeve në Komisionin Evropian, takimi i Von der Leyen me liderët e Ballkanit ishte informues lidhur me qëllimet dhe misionin që do të ketë KE-ja në pesë vjetët e ardhshëm, sa do të zgjasë mandati i saj i dytë në krye të këtij institucioni.

Von der Leyen ka caktuar kandidaten nga Sllovenia, Marta Kos, si komisionare për Zgjerim, që do të thotë se ajo do të merret edhe me raportet me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Von der Leyen me këtë takim po ashtu dëshmoi se edhe në mandatin e ri do t’i kushtojë kujdes të veçantë këtij rajoni dhe në përgjithësi procesit të zgjerimit të BE-së.

Në takim u diskutua edhe për “agjendën e reformave dhe rritjes”, të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bosnja e Hercegovina ka qenë e fundit që ka dorëzuar një dokument të tillë.

Von der Leyen personalisht ishte angazhuar për të promovuar këtë plan, ndërsa atë e ka mbështetur edhe Parlamenti Evropian edhe vendet anëtare në Këshillin e BE-së. Ky plan, që është një paketë prej 6 miliardë eurosh, konsiderohet si plani më ambicioz financiar i BE-së për vendet e rajonit dhe ka për qëllim t’iu ndihmojë atyre të përshpejtojnë rritjen ekonomike, procesin e reformave dhe në këtë mënyrë të jenë më të gatshme për procesin e integrimit në BE./ REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë