Nga Gazeta ‘Si’- Komisioni Europian i ka ofruar presidentit amerikan Donald Trump një marrëveshje për heqjen e të gjitha tarifave ndaj mallrave industriale si pjesë e negociatave tregtare.
Ursula von der Leyen ka theksuar se nëse bisedimet dështojnë, BE do të vazhdojë rrugën e saj për hakmarrje.
“Ne jemi gati për të negociuar me SHBA. Në të vërtetë, ne kemi ofruar tarifa ‘zero për zero’ për mallrat industriale, siç kemi bërë me sukses me shumë partnerë të tjerë tregtarë. Europa është gjithmonë e gatshme për një marrëveshje të mirë. Kështu që ne e mbajmë atë në tryezë. Por ne jemi gjithashtu të përgatitur të përgjigjemi përmes kundërmasave dhe të mbrojmë interesat tona”, tha Von der Leyen.
Marrëveshja “zero për zero” u ofrua në të kaluarën “në mënyrë të përsëritur” për sektorin e automobilave, tha von der Leyen, “por nuk pati asnjë reagim” nga Uashingtoni.
Komisioni e zgjeroi terrenin për të gjitha mallrat industriale ditët e fundit ndërsa bisedimet u intensifikuan, tha një zëdhënës pa dhënë më shumë detaje.
“Ne preferojmë të kemi një zgjidhje të negociuar,” tha von der Leyen, duke paralajmëruar se ekzekutivi i saj do të përdorë “të gjitha instrumentet në dispozicion për të goditur nëse është e nevojshme”, duke përfshirë një instrument kundër shtrëngimit që u prezantua në vitin 2023, por që nuk është aktivizuar kurrë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.