Drekën e shtruar nga Ursula Von Der Leyen në Bruksel, e ku ishin të pranishëm edhe liderët e tjerë të Ballkanit, përshirë kryeministrin shqiptar Edi Rama dhe Presdentin serb Aleksandër Vuçiç, kryeministri i Kosovës Albin Kurti e shfrytëzoi për të përsëritur thirrjen për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
Sipas një njoftimi të zyrës së kryeministrit, Kurti e ka cilësuar zgjerimin si përgjigjien më të mirë për ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Europës, ndërsa ka kërkuar që të trajtohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE: “Kurti theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat kufizuese mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta, të hiqen”.
Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha se kishte biseduar me Von Der Leyen për rrugën europiane të Serbisë dhe planin e rritjes ekonomike, që ishte edhe në fokus të drekës së punës. Vuçiç ka theksuar se Beogradi mbetet i përkushtuar për integrimin në BE, ndërsa njoftoi se së shpejti do të marrë këstin e parë prej 112 milionë eurosh nga Plani i Rritjes.
Presidenti serb njoftoi gjithashtu se i ishte ankuar Komisionerit për Zgjerimin, Oliver Varheliy për situtatën shqetësuese të serbëve në Kosovë, siç u shpreh, duke kërkuar angazhim më aktiv të komunitetit ndërkombëtar në mbrojtjen e serbëve.
Ndërkohë, Presidentja e KE, Von Der Leyen, përsëriti mesazhin se vendet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Europës. Sipas saj, po punohet për afrimin e ekonomive dhe tregjeve rajonale me BE me ndihmën e planit të rritjes për rajonin, me vlerë 6 miliardë euro.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.