Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën, Viola von Cramon, ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet ta shqyrtojnë seriozisht ofertën e Parisit dhe Berlinit, sepse “është e mundur që oferta e radhës të mos jetë më e mirë se paraprakja”.
Në një deklaratë për gazetën serbe “Nova”, Von Cramoni tha se Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë “kompromis të qëndrueshëm dhe të gëlltisin disa pilula të hidhura në rrugën përpara”.
“Ne e mbështesim plotësisht dhe në mënyrë të palëkundur punën e Miroslav Lajçakut dhe besoj se qëllimi mund të jetë real”, tha eurodeputetja, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares se i dërguari i BE-së për dialogun, Lajçak, pret që marrëveshja ndërmjet dy vendeve të arrihet deri në fund të vitit 2024.
Ajo vlerësoi se Serbia sot është “më larg nga BE-ja që nga viti 1999”.
“Unë nuk jam e sigurt se njerëzit në Serbi e dinë se reputacioni i Serbisë është më i keqi që nga viti 1999”, tha mes të tjerash Viola von Cramon.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




