Për t’i hedhur “benzinë zjarrit” ka menduar Toto Volf, shefi i Mercedesit në Formula 1. Ai është i bindur se Botërori 2021 do të vendoset në garën e fundit dhe do të jetë një përplasje e fortë mes Hemilton dhe Vershtapen, e stilit Sena-Prost.
Në një intervistë për “Daily Mail”, ai ka shprehur pikëpamjet e tij para garës së Meksikës, që zhvillohet më 7 nëntor, duke shtuar polemikat mes Mercedesit dhe Red Bull-it në këtë Botëror shumë të luftuar.
“Nëse shkojmë në garën e fundit të Abu Dhabit, me Maks Vershtapen dhe Ljuis Hemilton në garë për titullin, ai që do të jetë përpara në klasifikim, do të bëjë diçka të ngjashme me atë që kemi parë më parë nga Sena dhe Prost”. Kjo është një nga frazat e Volf për gazetën britanike. Pra, për të kuptuar më qartë, njëri mes Vershtapen dhe Hemilton do të përpiqet të nxjerrë jashtë rivalin në garën e fundit, nëse i duhet për titullin kampion.
Në vitet ’80 ka pasur një rivalitet shumë të ndezur mes Senës dhe Prostit dhe që të dy kanë pasur një sjellje jokorrekte në gara. Volf mendon se e njëjta gjë mund të ndodhë edhe në garën e fundit të këtij Botërori mes dy rivalëcve aktualë, të cilët kanë pasur disa fërkime deri tani, por jo edhe aq të forta.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




