Politike

Vokshi radhit arsyet: Rama dështoi me arsimin

Në ditët e fundit të mësimit, para mbylljes së shkollave, ish-deputetja demokrate, Albana Vokshi nënvizon se, “mbi 425 mijë nxënës mësuan në një sistem të dobësuar arsimor, mbi 34 mijë mësues u keqpërdorën me mësimin me 2,3 dhe 4 turne, pa u shpërblyer siç duhet”.

Sipas saj, vetëm nga informacionet e bëra publike, janë të paktën 13 mësues të ndarë nga jeta për shkak të Covid-it.

“Zero lekë për të përballuar pandeminë në arsim, sepse zero është shqetësimi i Edi Ramës për shkollat. Zero lekë për mësimin online. Megjithëse kishin 9 muaj në dispozicion për të ndërtuar një platformë online dhe për të siguruar akses në këtë platformë nga të gjithë nxënësit dhe mësuesit, asgjë nuk ndodhi.

Edi Rama dështoi sërish, edhe me mësimin online.  Platforma nuk funksionoi asnjë ditë dhe mijëra fëmijë i marrin mësimet akoma me Whatsapp dhe Zoom.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore në qytet mbi 60 përqind e familjeve nuk kanë një kompjuter apo lap top, ndërsa në fshat janë mbi 80 përqind e familjeve pa një pajisje që mundëson mësim normal online”, thotë Vokshi.

“Për shkak të një kryeministri të dështuar dhe të paaftë, që nuk e ka prioritet arsimin, në Shqipëri po rritet një brez COVID. Dhe një brez analfabetësh funksionalë, që është rritur me përmasa të rrezikshme, mbi 60%.

As mësimi fizik 25-30 minutësh nuk është efikas, as mësimi i alternuar nuk funksionon dhe mësimi online është gati i pamundur, sepse Shqipëria qeveriset nga një kryeministër i dështuar”, radhit ajo.  


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë