Nga Gazeta Si- Sapo hyn në ambientet kryesore të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit të bien në sy menjëherë dy vizatime me laps ku në njërën paraqitet portreti i një gruaje dhe në tablonë tjetër është i paraqitur një mur guri me disa barishte të mbira mbi të, thuajse në stil surrealist. Poshtë vizatimeve në qosh te secila pikturë shkruhen emrat e dy dëshmorëve, Qemal Stafës dhe Vojo Kushit.
Të dy të njohur nga historia si luftëtarë dhe dëshmorë të luftës nacionalçlirimtare. E vështirë të ndërlidhesh një hero i cili hidhet mbi tank me një art elitar siç është piktura. Së paku ky është perceptimi masiv që secilit nga ne i është krijuar për heronjtë. Ideologjia e 45 viteve komunizëm na i paraqiti si krijesa thuajse mitike duke e bërë dhe më të pabesueshëm këtë përmasë tjetër të tyre të cilën e zbulojmë teksa kundrojmë ekspozitën me këto punime të veçanta. Kornizat pasuese paraqesin partiturat e Verdit dhe portretin e shkrimtarit rus Leon Tolstoi të vizatuara me dorë po nga Qemal Stafa.
Dhe teksa i sheh punimet me radhë, kryesisht vizatime me laps dhe fotografi të kohës, vë re dhe larmishmërinë e prirjeve artistike të atyre djemve dhe vajzave të cilët për shumë dekada kanë mbajtur mbi vete ekskluzivisht vetëm titullin e dëshmorit duke e cekur në shumë pak raste këtë përmasë shpirtërore të tyre, e zbehur kryesisht nga polemikat mbi karakterin e luftës nacionalçlirimtare. Portreti i Miguel Servantesit i punuar nga Pali Prifti, autoportreti i Margarita Tutulanit ( heroinë e popullit) dhe fotografia e saj e shkrepur për pasaportën fallco, në prag të hedhjes në ilegalitet, vizatime të Jordan Misjes janë vetëm disa nga materialet e ekspozuara.
Ndër punimet më të veçanta që të bie ne sy është fotografia e Dino Kalenjës me poetin nobelist italian Salvatore Quasimodo, si dhe autografi tij. Edhe Dino Kalenja, një emër pak i përmendur në faqet e historisë është një nga eksponentët kryesorë të luftës, bashkëluftëtar me Kajo Karafilin dhe babë Myslym Pezën dhe i vrarë në mars 1944 nga nazistët gjermanë. Mes të tjerave bie në sy fotografia e kompozitorit italian dhe drejtorit të operas italiane, Pietro Mascagni e realizuar nga Prokop Sorra. Të gjithë këto emra dëshmorësh që historia na i paraqet rreptësisht vetëm në një përmasë.
Studiuesi Mehmet Gëzhilli rrëfen procesin dhe peripecitë e mbledhjes së materialeve.
Në një rrëfim për Gazetasi.al, qëmtuesi dhe kuratori i fondit Mehmet Gëzhilli rrëfen se puna për mbledhjen e materialeve ka nisur në vitin 1968 kur ai ishte student i kursit të letërsisë në Akademinë Ushtarake “Skenderbej”.
“Tre studentë të kursit u caktuam nga shteti për të bërë këtë punë”, thotë ai.
Leja e krijimtarisë e cila asokohe jepej për shkrimtarët dhe artistët na ndihmoi ti shpëtonim dhe jetës prej ushtari por na dha dhe mundësinë të qëmtojmë dhe të kërkojmë muze në muze në të gjithë Shqipërinë për të gjetur, fotografuar dhe më pas mbledhur materialet e rralla të këtij koleksioni.
““Yjet e pashuar” një libër që u dedikohej portreteve të heronjve të luftës ishte puna e parë e konkretizuar nga grupi ynë”, thotë Gëzhilli.
Dhe pas saj botimi i përmbledhjes më poezitë e dëshmorëve botuar në vitin 1976 është një nga katër librat e rrallë të botuar në botë për krijimtarinë letrare të dëshmorëve.
“Libri i parë i këtij lloji është ai i 36 dëshmorëve komunistë të vrarë në Francë. I dyti është libri i dëshmorëve italianë i botuar mbas vitit 1943 për dëshmorët e rënë në luftën antifashiste. I treti është përmbledhja e çekut Julis Fuçik me titull “ Reportazh me litar në grykë” dhe i katërti është libri im, përmbledhje me poezi të dëshmorëve”.
Dhe duke u rikthyer tek ekspozita, ai thotë se kjo ekspozitë është publikuar për herë të parë në Përmet në vitin 1984 dhe më pas me kërkesë të akademikut të shkencave, Aleks Budës ajo u paraqit dhe në Tiranë. Qëllimi i kësaj ekspozite thekson Gëzhilli është që opinioni publik të njihet edhe me anën tjetër të dëshmorëve tanë të cilët ne kaq vite janë përkujtuar vetëm si luftëtarë. Ata ishin njerëz të shkolluar jashtë dhe me intelekt të lartë të cilët morën pushkën dhe vendosën të luftonin për atdheun. Qëllimi i kësaj ekspozite është vetëm e vetëm evokimi i vlerave të dëshmorëve dhe jo zhurmnaja me të cilën janë shoqëruar shpesh profilet e tyre.
Gëzhilli zbulon gjithashtu se ekspozitën nga 16 dhjetori do të mund ta shohë kushdo në një album, me 340 fotografi nga krijimet e partizanëve. Por a ishin Vojo Kushi, Qemal Stafa, Margarita Tutulani, Jordan Misja, Dino Kalenja heronjtë të fshehur që bënin dhe art apo ishin artistë që koha dhe rrethanat ua diktuan heroizmin? Këto punime zbulojnë se ata së pari ishin njerëz me intelekt dhe të kultivuar, por dhe heronj atëherë kur u lipsej.
Ekspozita me mbi 240 tablo në përkujtim të 80 vjetorit të luftës nacional çlirimtare mbetet e hapur për vizitorët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.