Nga Gazeta 'Si' - Një prej dramave më domethënëse europiane të shekullit të 19-të, “Vojçek” e autorit gjerman Georg Buchner (Byshner) do të vijë premierë në Teatrin Kombëtar më 8 shtator në një tentativë për të dhënë mesazhe të forta mbi dinjitetin njerëzor.
Personazhi Vojçek, funksionet normale të të cilit janë shkatërruar, vazhdon të luftojë kundër sëmundjes së tij (çmendurisë) për të rifituar identitetin e tij njerëzor.
Shfaqja ka në fokus njerëzit e zakonshëm dhe portretizon një ushtar të trazuar në një shoqëri shtypëse. Ushtari Vojçek që interpretohet nga aktori Rafael Hoxhaj dhe Maria që do të vijë nën interpretimin e aktores Luli Bitri janë në qendër të konceptit regjisorial të japonezit Kuniaki Ida.
Aktorja Luli Bitri që interpreton personazhin e Marias, e cila është nëna e fëmijës së Vojçek (ligjërisht Vojçek-Maria nuk janë të martuar) thotë për Gazetën “Si” se shfaqja tenton të rrëfejë si e shkatërron shoqëria këtë burrë dhe jetën e familjes së tij.
“Maria është nëna e fëmijës së Vojçek, fëmijë i lindur nga një marrëdhënie e pakurorëzuar, që do të thotë se në vitet kur Buchner e shkroi këtë vepër, 1836, marrëdhënia Maria-Vojçek dhe sjellja e fëmijës në jetë pa bekimin e kishës, ishte e dënuar nga shoqëria. Dhe pikërisht është kjo shoqëri që shtyp çdo dëshirë të këtyre personazheve, sepse kush nuk e ka dritën vet i verbohen sytë nga ata që e kanë dhe duan të të tërheqin në errësirë. Kjo ndodh me jetët e Vojçekut dhe Marias, ata jetojnë në një jetë të varfër”, shprehet aktorja Bitri për Gazetën “Si”.
Vojçek do të fillojë të vetësakrifikohet për të nxjerrë diçka për të mbajtur familjen e tij. Ndërkohë që Maria gjykohet si e pamoralshme, ajo jeton e vetme me fëmijën e vet, në pritje që Vojçek të jetë më prezent si burrë. Asaj i mungon ngrohtësia dhe prezenca e tij.
Ndërkohë, Vojçek u përpiqet të sigurojë të ardhura duke ia dorëzuar veten eksperimenteve që sipas aktores Bitri eksperimente të tilla do t’i kushtojnë shëndetin e tij mendor.
“Ai fillon të shoh anën e errët të jetës, ndërkohë që Maria dëshiron të jetojë gjëra të bukura, por në të njëjtën kohë edhe ajo vet fillon të shohë errësirën në të cilën jeton mendja e Vojçekut. Nga ana tjetër atij i mbillet në mendje nga njerëzit rrotull, që ‘gruaja’ e tij e tradhton. Ai fillon të jetojë në inkubin e tmerrshëm të xhelozisë, që do të çojë në një fund fatal ‘familjen’ e tyre të vogël”, vijon më tej aktorja.
Regjisori japonez Kunjaki Ida bën bashkë një galeri personazhesh për t’i dhënë kësaj drame të shek. XIX një frymë bashkëkohore. Shfaqja “Vojçek” bashkon aktorë me peshë në skenën teatrore si: Neritan Liçaj, Arben Derhemi, Hervin Çuli, Elia Zaharia, Eriona Kakeli, etj.
Aktori Neritan Licaj, i cili interpreton disa personazhe në “Vojçek”, thotë për Gazetën “Si” se është një shfaqje për shoqëritë që kanë probleme, ku sistemi shoqëror, bashkësia shoqërore fillon kalbet, bjerret avash-avash dhe sjell si pasojë krimin.
“Kjo është shumë e rëndësishme edhe për shoqërinë shqiptare, ku varfëria, korrupsioni shpirtëror bëjnë një klimë mbytëse për individin, i cili në fund fare shkallon dhe kryen akte kriminale”, thotë Liçaj për Gazetën “Si”, ndërsa shton se “ka edhe qytetarë të thjeshtë që japin një zgjidhje tjetër. Njëri prej personazheve që luaj unë, një çirak, një punëtor i thjeshtë i cili del në konkluzionin që jeta është shumë interesante dhe thotë mos u mashtroni se jeta është e ligë, ku paraja korrupton gjithçka”.
Sipas aktorit Liçaj realiteti i atëhershëm është shumë i ngjashëm me realitetin tonë sot.
“Kjo shfaqje është një shtysë, një mundësi për publikun shqiptar të vijë për të parë në pasqyrë ku është problematika e shoqërisë sonë sot. Sepse teatri ka këtë të mirë sikurse edhe miti, legjenda, letërsia i vënë shoqërisë një pasqyrë për të parë problematikat”, vijon më tej aktori Neritan Liçaj.
Edhe për aktoren Luli Bitri, e cila mban një ndër rolet kryesore në shfaqje, kjo histori edhe pse e shkruar në vitet 1800 mbetet e gjithkohshme, pasi nxjerr në pah mënyrën se si i destinon shoqëria jetët njerëzore.
“Është një problematikë që e hasim edhe në ditët e sotme. Është sa shqiptare, por edhe universale, marrëdhënia e individit me dëshirat dhe mundësitë për ta jetuar jetën siç ai e dëshiron, vendi që zë ai në shoqëri dhe se si i destinon shoqëria jetët tona. Shpesh fjalët e shoqërisë janë vrastare po aq sa arma që i vret këto qenie mjerane, që përpiqen të mbijetojnë e t’u japin dritë dëshirave të tyre”, përfundon aktorja Bitri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.