Gazeta Si - Një 38-vjeçar, i identifikuar si Olsi Bibollari është arrestuar në Tiranë për vjedhjen e një shume prej 15 mijë eurosh në një banesën e një miku të tij në zonën e "Komunës së Parisit", me profesion doktor.
Policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur me 25 gusht, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan shuma parash të dyshuara të vjedhura, një automjet, dhe veshje të cilat autori i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes.
Por sipas burimeve paraprake, banesa në të cilën 38-vjeçari ka vjedhur shumën e eurove, mësohet se është e mjekut Eqerem Hasani, i cili është edhe shefi i urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT.
Gjithnjë sipas informacioneve, mësohet se 38-vjeçari dhe mjeku kanë pasur lidhje miqësore, ku para një jave doktori i ka dhënë 50 mijë euro borxh autorit të vjedhjes, procedurë që e kanë mbyllur me dokumentacion në noteri.
Por, pasi janë takuar, doktori ka harruar çelësin ë e apartamentit në makinën e Bibollarit, të cilin ky i fundit e ka marrë dhe ka shkuar në shtëpinë e mjekut, e ka hapur dhe ka marrë 15 mijë euro.
Denoncimin e ka bërë vetë doktori në polici dhe pasi kanë hapur kamerat dhe provat e tjera, është identifikuar se autor i vjedhjes është Olsi Bibollari.
"Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe për vënien përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve që i kryejnë ato, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar "Key". Si rezultat i tij u arrestua shtetasi Olsi Bibollari, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Vjedhja", parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal", njoftoi policia e Tiranës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.