Gazeta Si – Tre persona janë arrestuar këtë të mërkurë në Tiranë, pasi dyshohen se kanë vjedhur sende me vlerë 15 mijë euro në një banesë. Në pranga ka rënë dhe një 34-vjeçar, pronar i një argjendarie, i cili dyshohet se ka blerë sendet e vjedhura nga 3 autorët e dyshuar.
Policia tha se ka sekuestruar sendet e vjedhura, automjetin me të cilin dyshohet se kanë lëvizur autorët, veshjet që kanë përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve, si dhe aparatet e tyre celulare.
Gjatë operacionit “Falco”, u arrestuan shtetasit:
– L. B., 25 vjeç, E. X., 21 vjeç, dhe D. M., 23 vjeç, të tre banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Vjedhja” kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 134/25 e Kodit Penal;
– F. C., 34 vjeç, banues në Fushë Krujë, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal.
Nga veprimet hetimore dyshohet se, më datë 13.09.2024, në rrugën “Astrit Losha”, shtetasi D. B., ka ruajtur shtetasin L. B., i cili ka hyrë në një banesë dhe ka vjedhur sende me vlerë (çanta të markave të kushtueshme dhe aksesorë të tjerë) me vlerë rreth 15 000 euro. Më pas bashkëpunëtori i tyre, shtetasi E. X., ka marrë këta dy shtetas me automjet dhe i ka larguar nga vendi i ngjarjes.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar disa nga sendet e vjedhura të gjetura në dyqanin e shtetasit F. C.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.