Ka ndodhur

Vodhën në exchange në Korçë, arrestohet një nga autorët e grabitjes

Policia ka zbardhur ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë në Korçë, ku i vodhën me dhunë 1 milionë lek pronarit të një pike Exchange.

Policia thotë se ka vënë në pranga njërin prej autorëve të dyshuar, i cili u kap nga policia, duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.

Në pranga është vënë shtetasi I. T., 31 vjeç, banues në Korçë (person me precedent të mëparshëm penal në fushën e veprave penale kundër rendit dhe sigurisë publike).

I arrestuari, person me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje.

“Shtetasi i mësipërm, është kapur nga forcat e Policisë në një lokal në lagjen nr. 18, duke thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’ të vendosur nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë me vendimin e datës 20.05.2020, për veprat penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ‘Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të ftohta’ dhe ‘Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik’”, thuhet në njoftimin e policisë.

Në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan një celular, një palë tuta sportive dhe një xhup me kapuç, të cilat dyshohet të jenë përdorur nga autori ditën e ngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë