Ka ndodhur

Vodhën mbi 1 mijë euro dhe bizhuteri në çantat e pasagjerëve, arrestohet punonjësi i bagazheve në Rinas

Gazeta Si – Një punonjës bagazhesh në aeroportin e Rinasit, Leidjon Zeneli është arrestuar nga policia, ndërsa është proceduar në gjendje të lirë punonjësi tjetër, Mehmet Sula.

Policia thotë se ata kanë vjedhur bagazhet e pasagjerëve dhe në pjesën ku mbanin sendet personale i janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera të vjedhura.

“Më tej, është kryer kontroll në hapësirën ku mbanin sendet personale, shtetasi L. Z. dhe punonjësi tjetër i bagazheve, shtetasi M. S.. Aty janë gjetur 1250 euro dhe bizhuteri të tjera, të dyshuara të vjedhura nga bagazhet e pasagjerëve. Në përfundim të veprimeve procedurale për rastin, është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Vjedhja”, shtetasi L. Z., 19 vjeç, dhe është proceduar në gjendje të lirë, për të njëjtën vepër penale, shtetasi M. S., 24 vjeç, të dy banues në Krujë”, – njofton policia.

Policia Kufitare e Rinasit apelon për të gjithë pasagjerët, që për arsye sigurie, paratë dhe sendet me vlerë t’i mbajnë në çantat e dorës, jo në bagazhet e stivës, pasi kompanitë ajrore nuk mbajnë përgjegjësi për to.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë