Pesë të rinj kanë rënë në pranga me akuzën e vjedhjes së një biznesi në Vlorë, ndërkohë që katër prej të tyre janë me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Të arrestuarit janë R. L., 17 vjeç dhe I. T., 16 vjeç, të dy banues në lagjen “1 Maji”, Vlorë, K. B., 15 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë dhe E. XH., 18 vjeç, banues në Durrës.
Policia thotë se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, gjatë orëve të para të mëngjesit, në lagjen “Pavarësia 2”, Vlorë, kanë vjedhur produkte të ndryshme dhe një sasi të vogël parash në marketin në pronësi të shtetasit D. H. dhe më pas kanë tentuar të largohen me një automjet me drejtues shtetasin B. S.
Gjithashtu, njëri prej autorëve të dyshuar, shtetasi i mitur I. T., dyshohet se më datë 19.09.2021, ka vjedhur disa sende personale dhe një shumë parash të një shtetasi.
Në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u bë dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit B. S., 46 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.
Në cilësinë e provës materiale, Policia ka sekuestruar një shumë parash, produkte të vjedhura, mjetet që përdornin këta shtetas për realizimin e vjedhjeve, si dhe automjetin me të cilin tentuan të largoheshin pasi kishin kryer vjedhjen.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




